Nënkryetarja e Komitetit Qendror të Katolikëve Gjermanë, Claudia Lücking-Michel, bëri thirrje për lejimin e plotë të grave në të gjitha funksionet e kishës. Kjo nuk do të thotë që grave t’u jepen “disa thërrime nga tryeza e Zotit”, tha Lücking-Michel për radion publike Südwestrundfunk, qëllimi duhet të jetë “akses i barabartë në të gjitha postet që ofron Kisha Katolike” për të gjithë ata që janë pagëzuar.
Kryetari i Konferencës së Ipeshkvijve, Georg Bätzing, kishte njoftuar në prag të asamblesë plenare vjeshtore të ipeshkvijve se ai do të angazhohej për shugurimin e grave si dhjakë. Nënkryetarja e Komitetit Qendror të Katolikëve Gjermanë Lückert-Michel tha se “ky mesazh i qartë” është i mirë, por jo i mjaftueshëm.
Drejtuesit shpirtërorë të 27 dioqezave katolike në Gjermani janë mbledhur në një takim në Fulda. Takimi vazhdon deri të enjten.
Kisha duhet të rifitojë besimin
Kisha Katolike në Gjermani është përballur vitet e fundit me shumë largime dhe kritika. Nga këndvështrimi i shumë besimtarëve kjo ka të bëjë me reformat e vonuara, edhe me rastet e shumta të dhunës seksuale nga ana e priftërinjve që janë mbuluar dhe janë kaluar në heshtje në mënyrë sistematike. Shumë vepra të tilla penale nuk janë ndjekur penalisht dhe tani parashkruhen. Që nga shtatori, Konferenca e Ipeshkvijve është duke u përpjekur të rifitojë besimin përmes një dialogu dyvjeçar, të ashtuquajturën rrugë sinodale.
Top Channel