Boris Johnson paralajmëron popullin britanik për Covid-19: Duhet të marrim masa tani

23/09/2020 11:05

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson iu drejtua kombit të martën, pasi njoftoi një sërë kufizimesh të reja ndaj koronavirusit.

“Lufta kundër COVID-19 është kriza e vetme më e madhe me të cilën bota është përballur gjatë jetës sime”, tha Johnson në një fjalim televiziv.

“E megjithatë, unë jam më i sigurt se kurrë se kjo është një luftë të cilën njerëzimi do ta fitojë dhe ne në shtetin tonë do të fitojmë dhe do të arrijmë atë që duhet. Dua të flas me ju drejtpërdrejt për zgjedhjet me të cilat përballemi. Asnjëra prej tyre nuk janë të lehta dhe pse duhet të marrim masa tani”, tha ai.

Johnson dukej se fajësonte rritjen e numrit të rasteve për shkak të shpirtit liridashës të lindur të kombit, duke thënë:

“Por, ne duhet të pranojmë se ky është një vend i madh dhe liridashës ndërsa shumica dërmuese i janë përmbajtur rregullave, ka patur shumë shkelje, shumë mundësi që armiku ynë i padukshëm të kalojë pa u zbuluar”.

“Unë e di se kjo qasje e fortë, por proporcionale, tashmë bart mbështetjen e të gjitha partive kryesore në parlament”, tha ai.

Të martën në parlament, Johnson njoftoi masat e reja që përfshinin punonjësit që punonin nga shtëpia ku është e mundur, udhëtimi për në punë nëse puna nga shtëpia nuk është e mundur; në të gjitha pubet, baret dhe restorantet punon vetëm shërbimi i tryezës operative dhe mbyllen në ora 22:00; mbajtja e maskës për stafin me pakicë, taksi dhe shërbime; kufizimi i numrave në dasma në 15, në funerale 30 dhe anulimi i rihapjes së pjesshme të stadiumeve sportive që ishte caktuar për 1 tetor.

Gjobat me para për refuzimin e mbajtjes së maskës ose thyerjen e rregullit të takimit të jo më shumë se 6 personave në publik do të dyfishohet në 200 funta (254 dollarë amerikanë). Policia do të ketë mundësinë e mbështetjes ushtarake.

“Realiteti tragjik i COVID-19 është se kolla juaj e lehtë mund të jetë vdekja e dikujt tjetër”, tha Johnson.

“Ne duhet të mbështetemi në vullnetin tonë që të kujdesemi për njëri-tjetrin dhe të mbrojmë njëri-tjetrin. Asnjëherë në historinë tonë, fati ynë kolektiv dhe shëndeti ynë kolektiv nuk varet kaq shumë nga sjellja jonë individuale”, tha kryeministri britanik.

Autoritetet të martën njoftuan se 4.926 presona në të gjithë Britaninë në 24 orët e fundit rezultuan pozitivë me koronavirus, duke e çuar numrin e rasteve në 403.551. Ata thanë se me 37 vdekjet tjera numri i përgjithshëm i viktimave arriti në 41.825.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA