Ministria e Jashtme greke ka njoftuar se do të fillojë bisedimet me Turqinë, gjatë komunikimit zyrtar ditën e sotme.
“Greqia dhe Turqia ranë dakord për fillimin e ciklit të 61 të bisedimeve eksploruese midis dy palëve në Stamboll së shpejti”, thuhet ne deklaratë.
Bëhet fjalë për bisedime që zhvillojnë dy vendet në lidhje me mosmarrëveshjet që kanë ku secila palë deklaron pozicionimet e saj dhe kërkon të mësojë synimet e palës tjetër.
Ndërsa edhe ministria e Turke e Mbrojtjes njoftoi se takimi i pestë teknik midis delegacioneve greke dhe turke në selinë e NATO-s ka përfunduar dhe takimet e reja do të zhvillohen javën e ardhshme.
Sipas gazetarit të Top Channel, Aleksandër Marku, Athina zyrtare deklaron se e vetmja mosmarrëveshje që ka me Turqinë është delimitimi I hapësirave detare dhe ZEE mes dy vendeve ,ndërsa Turqia nga ana e saj ka hedhur shumë çështje në diskutim.
Më herët kancelarja gjermane Merkel dhe presidenti I Keshillit Europian Charles Mishel zhvilluan një telekonferencë me presidentin turk Erdogan ,në kuadrin e përgatitjes së samitit të larte të BE që u shty për në fillim të tetorit ,ku një prej çështjeve do të jetë edhe aktiviteti i Turqisë në Mesdheun Lindor.
Megjithëse burimet diplomatike në Athinë shprehen optimiste për këtë zhvillim , përsëri ka një vetëpërmbajtje, pasi presidenti turk nga njëra anë i ka thënë kancelares Merkel se është i gatshëm të fillojë bisedmet me Athinën, nga ana tjetër akuzon Greqinë se ka pozicionime të papranueshme për kufijtë detarë në Egje dhe Mesdhe.
Madje ndryshimi i qëndrimit të Erdoganit për t’u ulur në tryezën e bisedimeve, cilësohet si një lëvizje që ai bën për të shmangur saknsionet e mundshme që mund të vendoste ndaj Turqisë samit i lartë i BE, për kërkimet për naftë e gaz që ajo zhvilloi javët e fundit në ujërat detare në Mesdheun Lindor të cilat Greqia pretendon se janë nën juridiksionin e saj, veprime që gati sollën një konflikt ushtarak mes dy vendeve .
Zhvillimet e fundit vijnë edhe pas deklaratës që u diskutua shumë në shtypin grek , të ambasadës amerikane në Ankara, për qëndrimin e saj në lidhje me të ashtuquajturën Kartën e Seviljes të cilën SHBA nuk e konsideron që të ketë status ligjor edhe në ditët e sotme.
Ndërkohe pritet me interes të veçantë edhe telefonata e udhëheqësit turk me homologun e tij francez Makron, që do jetë edhe biseda e parë pas kritikave me tone të ashpra që kanë shkëmbyer dy liderët për gjendjen në rajon.
Top Channel