Arrestohet gruaja në kufirin SHBA-Kanada për helmin ricinë të dërguar në Shtëpinë e Bardhë

21/09/2020 19:45

Autoritetet e emigracionit në SHBA thanë sot se një grua është arrestuar si e dyshuar se dërgoi me postë një pako me helm ricinë për presidentin Donald Trump.

Gruaja e paemëruar u kap në pikën kufitare Buffalo, teksa kthehej nga Kanadaja në shtetin e New York, dhe raportohej se ishte e armatosur.

Letra që mbante helmin vrasës gjithashtu besohet se vinte nga Kanadaja, por ishte zbuluar disa ditë para se mbërrinte në Shtëpinë e Bardhë.

Ricina është një helm i gjetur në mënyrë natyrale në farat e kastorit, dhe është përdorur edhe në tentativa sulmesh të tjera ndaj Shtëpisë së Bardhë vitet e fundit.

Administrata Trump nuk ka komentuar ende mbi raportet.

FBI dhe agjenci të tjera po hetojnë mbi pakon e zbuluar në një qendër procesimi të postës së Shtëpisë së Bardhë.

Mediat lokale thanë se e dyshuara mund të ketë dërguar helmin dhe në adresa të tjera në shtetin e Texas.

Ricina është një substancë fatale që nëse kapërdihet, thithet me hundë apo injektohet, shkakton të përziera, të vjella, gjakderdhje të brendshme dhe rrjedhimisht dështim të organeve.

Nuk ka një ‘atidot’ të njohur kundër ricinës dhe nëse një person ekspozohet ndaj saj mund të vdesë nga 36 deri në 72 orë në varësi të dozës së marrë.

Në vitin 2014, një burrë nga Mississippi u dënua me 25 vjet burg pasi dëgoi letra të pudrosura me ricinë për presidentin Barack Obama dhe zyrtarë të tjerë.

Katër vjet më vonë në vitin 2018, një ish-veteran i ushtrisë u akuzua për dërgim të letrave toksike në Pentagon dhe Shtëpinë e Bardhë.

FOTO GALERI
1/3
Ricina është një helm i gjetur në mënyrë natyrale në farat e kastorit

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA