Një anketë e kohëve të fundit nga organizata jofitimprurëse “Eurasia Group” gjeti një mbështetje të fortë mes votuesve republikanë dhe demokratë për bisedimet e paqes të mbështetura nga administrata e Presidentit Trump për t’i dhënë fund të luftës 19-vjeçare në Afganistan. Sondazhi arriti në përfundimin se votuesit e rinj janë kryesisht të lodhur nga përfshirja amerikane në konfliktet e huaja dhe duan që Kongresi të shkurtojë shpenzimet ushtarake.
Shtetet e Bashkuara dhe aleantët e NATO-s filluan sulmet ushtarake ndaj Afganistanit disa ditë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001. Pas dy dekadash dhe rreth 160 mijë të vdekur, shumë amerikanë thonë se kanë humbur durimin me luftën dhe duan kthimin e të gjitha trupave ushtarake në vend.
Sipas një ankete të grupit “Eurasia Group Foundation”, shumica e amerikanëve nga të dy partitë favorizojnë bisedimet e paqes në Afganistan të mbështetura nga Uashingtoni. Bisedimet filluan me 12 shtator në Doha të Katarit. Mark Hannah është me organizatën “Eurasia Group”. “Gjetëm se bisedimet e paqes të udhëhequra nga i dërguari amerikan Zalmay Khalilzad kanë përkrahje nga 63% e mbështetësve të Presidentit Trump dhe 61% e mbështetësve të zotit Biden.”
Në fillim të bisedimeve, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha se ushtria amerikane ishte në rrugën e duhur për tërheqjen e trupave nga Afganistani deri pranverën e vitit 2021. Amerika ka reduktuar forcat e saj në rreth 8,600 që nga nënshkrimi i marrveshjes me Talebanët në shkurt. Anketa nga “Eurasia Group Foundation” tregon se që nga viti i kaluar është përgjysmuar e mbështetja nga 30% në 15% e atyre që besojnë që trupat amerikane duhet të qëndrojnë në Afganistan.
Mes të anketuarve, të rinjtë amerikanë ndjehen të lodhur me ato që i shohin si “luftra të pafund”, duke mbështetur diplomacinë mbi veprimet ushtarake. Kjo tregon miratimin e kësaj shtrese për një president amerikan që angazhohet drejtpërdrejtë me kundërshtarët, ndërsa bëjnë thirrje për një angazhim më të madh global, thotë Mark Hannah.
“Amerikanët duan që Shtetet e Bashkuara të rikthehen në marrëveshje të ndryshme, qoftë Organizata Botërore e Shëndetësisë, Marrëveshjet e Parisit për Klimën apo marrëveshja bërthamore për Iranin. 70% mbështesin rikthimin tek marrëveshje të tilla.” Kandidati demokrat për president, Joe Biden, thotë se mbështet planin për tërheqjen nga Afganistani por dëshiron që Pentagoni të lërë atje një forcë të vogël ushtarake për t’u përballur me çdo kërcënim terrorist në Afganistanin e pasluftës./VOA
Top Channel