Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me vizitën që pritet t’i bëjë emisari i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, ish-ambasadorit Richard Grenell në Kosovë, pak më shumë se dy javë pas nënshkrimit të marrëveshjes së Uashingtonit.

Në një njoftim nga kjo ambasadë bëhet e ditur se delegacioni qeveritar amerikan do të vizitojë Greqinë, Kosovën, Serbinë dhe Izraelin, gjatë së cilave do të diskutohet rreth zhvillimit ekonomik.

Në takim përveç emisarit Richard Grenell, do të marrë pjesë edhe shefi ekzekutiv i Korporatës së Zhvillimit Financiar, Adam Boehler.

Njoftimi i plotë:

Delegacioni i Qeverisë së SHBA do të udhëtojë në Greqi, Kosovë, Serbi dhe Izrael.

Një delegacion i qeverisë amerikane i udhëhequr nga kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit të SHBA (DFC) Adam Boehler do të udhëtojë në Athinë, Greqi; Prishtinë, Kosovë; Beograd, Serbi; dhe Jerusalem Izrael nga 20 shtator deri më 25 shtator për të avancuar bashkëpunimin dhe zhvillimin ekonomik.

Boehler do të bashkohet me këshilltarin special të presidentit për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, zëvendës administratori për Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) Bonnie Glick, president dhe kryetar i Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara (EXIM) Kimberly Reed, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë nga Departamentet e Energjisë dhe Tregtisë të SHBA.

Delegacioni do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë të qeverisë dhe udhëheqës të sektorit privat.

Udhëtimi i delegacionit vjen pas Marrëveshjeve historike midis Izraelit, EBA dhe Bahrejnit dhe marrëveshjes së normalizimit ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës.

DFC, banka e zhvillimit të Amerikës, lehtëson investimet e sektorit privat dhe ofron një alternativë parimore të financimit ndaj regjimeve autoritare. DFC punon ngushtë me USAID, EXIM dhe agjencitë e tjera qeveritare për të promovuar zhvillimin dhe avancimin e politikës së jashtme të SHBA përmes mjeteve të saj të financimit.

Delegacioni do të çojë përpara investimet strategjike që mbështesin shumëllojshmërinë e furnizimeve dhe forcojnë pavarësinë e energjisë në Greqi dhe rajonin e gjerë.

DFC do të hedhë bazat për hapjen e një zyre në Beograd për të lehtësuar zbatimin e projekteve që do të mbështesin rritjen ekonomike në rajon. DFC dhe EXIM së fundmi nënshkruan Letrat e Interesit me Serbinë dhe Kosovën për të ndihmuar financimin e projekteve të rëndësishme të identifikuara në marrëveshjet e 4 shtatorit.

Delegacioni gjithashtu do të vlerësojë mundësitë për të zgjeruar investimet në rajon për të rritur stabilitetin dhe bashkëpunimin ekonomik në Lindjen e Mesme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA