
Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë kanë tërhequr një udhëzim të muajit gusht që kishte krijuar shkaktuar polemika të forta, i cili sugjeronte se nuk ishte e nevojshme të testoheshin personat pa simptoma që mund të ishin ekspozuar ndaj koronavirusit.
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC ka rikthyer në fuqi udhëzimin fillestar që personat që kanë qenë në kontakt me një individ të infektuar me koronavirusin duhet të testohen. Muajin e kaluar CDC-ja postoi në faqen e saj udhëzime sipas të cilave personat që nuk kishin simptoma, nuk kishin nevojë të bënin analizat.
Udhëzimet e gushtit u pasuan me kritika të forta nga ekspertë të shëndetësisë që u shprehën se ishte e paimagjinueshme që agjencia kryesore e shëndetit publik në SHBA kishte bërë një sugjerim të tillë në një kohë kur vendi ndodhet në mes të një pandemie. Tani Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thotë se kushdo që ka qendruar për të paktën 15 minuta në një distancë prej 2 metrash ose më pranë një personi të infektuar duhet të testohet.
Në një deklaratë, CDC-ja e cilësoi ndryshimin një “sqarim” të nevojshëm “si rezultat i numrit të madh të infektimeve të shkaktuara nga persona pa simptoma ose para se të shfaqin simptomat”. Autoritetet e shëndetësisë nuk ofruan shpjegime të qarta për sugjerimin e gushtit. Disa vëzhgues spekuluan se udhëzimi iu imponua CDC-së nga të emëruar politikë brenda administratës Trump.
Top Channel