Numri i viktimave në Francë si pasojë e koronavirusit po vjen në rritje, për të parën herë që nga fundi i izolimit atje. Agjencia e shëndetit publik në vend paralajmëroi të premten se të gjithë indikatorët e koronavirusit tani po përkeqësohen.
Ndërsa një rritje e shpejtë e infektimeve vinte kryesisht nga të rinjtë, tani infektimet po rriten shpejt edhe mes mbi 75 vjeçarëve. Shtrimet në spital dhe repartet e kujdesit intensiv po ashtu po rriten.
Për të parën herë që nga heqja e izolimit që zgjati nga marsi në maj, po shohim një rritje të viktimave të Covid-19 tha agjencia, duke shtuar se 265 persona ishin ndarë nga jeta si pasojë e virusit këtë vit ndërkohë që një javë më parë shifra ishte 129. Intensifikimi i përhapjes së virusit mes të moshuarve rrit frikën e shtimit të shtrimeve në spital dhe viktimave në javët në vijim, tha agjencia.
Ministri i shëndetësisë, Oliver Veran, tha të enjten se Franca po përgatiste kufizime më të ashpra në disa qytete për të ndalur infektimet që arritën në mbi 10 mijë në ditë javën e shkuar. Qyteti i Nicës, në rivierën franceze, që ende po përjeton një verë të vonë mesdhetare, njoftoi të premten kufizimin e tubimit të maksimumi 10 personave në parqe dhe plazhe. Blerja dhe konsumi i alkolit në publik është i ndaluar pas orës 8 të mbrëmjes ndërsa baret nuk do të qëndrojnë të hapur natën.
Top Channel