Në orët e para të mëngjesit të sotëm ka rënë zjarr në zonën kodrinore të Kallmit në bregdetin e Durrësit.
Pisha, pemë të tjera, shkurre dhe barishte janë përfshirë nga flakët rreth orës 01.30 të mëngjesit.
Zjarrfikësit e Durrësit janë përpjekur të shuajnë vatrat e zjarrit dhe të shmangin përhapjen e tij në drejtim të pikës sinjalo-vrojtuese të marinës ushtarake dhe antenave televizive që ndodhen në kodër.
Në ndihmë të tyre kanë qenë dhe zjarrfikëse të portit detar dhe Shijakut. Në një terren të vështirë është punuar gjithë natën për të shuar flakët të cilat kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme. Aktualisht, zjarri është vënë nën kontroll dhe kanë mbetur vatra të vogla që punonjësit po përpiqen t’i shuajnë.
Një grup hetimor pritet të përcaktojë shkakun e zjarrit që paraprakisht dyshohet të jetë i qëllimshëm.
Top Channel