“Të fortët e Mamurrasit” kërcënojnë konkurencën me mbyllje të biznesit. Babai i tre fëmijëve kërcënohët në sy të fëmijëve në zyrën e tij. Prokuroria thotë se nuk ka vepër penale.

Erald Ndoj është kryefamiljar, baba i tre djemëve i cili jeton edhe punon në Mamurras. Ai ka një biznes të ligjshëm ku ofron shërbimin e internetit. Në muajin Qershor mori licencën pranë Agjencisë Akep për të përmirësuar punën dhe shtruar linjën e e fibrës optike me qëllim ofrimin e shërbimit kabllor. Pesë ditë pasi kishte marrë licencën ai është kërcënuar në zyrën e tij, në sy të djemëve dhe bashkëshortes, nga qytetari Ardian Gega. Ky i fundit ka vetëm një qëllim, të pengojë hapjen e kabllorit, pasi vëllai i tij ka të njëjtin biznes.
Fiks Fare transmetoi një video ku shihet se Ardian Gega kërcënon Erald Ndojin. I prerë dhe me ton kërcënues ai thotë që kabllorin nuk do ta hapë njëri tjetër në Mamurras, pasi e kanë ndaluar disa herë që kjo gjë të ndodh. Ai i thotë Eraldit se është më mirë që ta marrë vesh, pasi nëse nuk merr vesh atëherë do të hajë dru si m…
Këtë video Erald Ndoji e paraqiti pranë prokurorisë dhe policisë. Por prokurori Bardhyl Shehu gjykoi që nuk ka vepër penale dhe vendosi mosfillim të procedimit.

Pas disa ditësh konfikti degjeneroi në dhunë fizike ndaj Erald Ndojit dhe punëtorëve të tij. Kësaj radhe dhuna erdhi prej të dy vellezërve Gega. Njëri prej punëtorëve të Erald Ndojit ka përfunduar me 12 qepje në kokë. Por pak ditë më vonë ai ka vendosur të tërheq denoncimin, pasi është ndjerë i kërcënuar. I vetmi që nuk ka tërhequr denoncimin është Eraldi i cili siç shprehet edhe gjatë intervistës gruan dhe djemtë i ka larguar jashtë vendit, por vetë ka vendosur të përballet me këtë situatë deri sa ligji të zbatohet.

Menjëherë pas kallëzimit të parë u bë edhe kallëzimi i dytë, të cilin prokurori Bardhyl Shehu nuk e pa të arsyshme ta bashkëngjiste me të parin edhe pse nuk ishte shprehur akoma me një vendim. Ai thotë që herën e parë nuk kishte vepër penale, por të dytën po. “Mendova t’ja kaloj dikujt tjetër” pretendon prokurori Shehu. Gjithashtu ai pretendon se i njeh shumë mirë këto ‘fytyra’, por sipas tij nuk kishte nga t’ja mbante.

Pasi prokuori i parë Bardhyl Shehu u distancua, prokuorja që ka aktualisht çështjen i ka bërë bashkë të gjitha kallëzimet. Pavarësisht se dy vëllezërit njihen si kontigjent kriminal dhe kërcënimet kanë qenë të vazhdueshme, për ta nuk është kërkuar masa e arrestit me burg. Në mosdijeni të regjistrimit nga qytetari oficeri i policisë shprehet se ligji ka hapësira, jo të gjithë janë për t’u arrestuar.

Për një tjetër vepër penale, atë të dhunës dhe ndërtimit pa leje, për Gjergj Gegën është dhënë masa ‘Arrest shtëpie’, por ai lëviz i lirë nëpër Mamurras. E vërtetuar kjo me foto dhe video.

Erald Ndoji ka më shumë se tri muaj që nuk punon, pasi fibrat optikë dhe kabllot janë këputur dhe vjedhur. Për këtë denoncim, policia dhe prokuroria akoma s’ka bërë aktin e ekspertimit në terren, edhe pse kabllot edhe sot e kësaj dite janë të varur dhe të këputur. Madje njëra pikë ndodhet përballë postës së Policisë Mamurras. Por kjo nuk e ka ka penguar atë të vazhdoj luftën, jo me vëllezërit Gega, por me shtetin që sipas tij është në shërbim të kriminelëve dhe jo të ligjit. Fakti qëndron që pas rreth katër muajsh përplasje dhe kërcënimë, i vetmi që deri tani ka dalë i dëmtuar është Erlad Ndoji, i cili nuk punon dot qysh prej Qershorit edhe pse vazhdon të paguaj taksa dhe siguracione rregullisht. Mesa duket Ardian Gega e mbajti “fjalën” kur i tha në zyrë – “Do ta shohësh t’i çfarë do bëj”. Të gjitha këto fakte kanë vetëm një rezultat në Mamurras duket sikur krimi zotëron mbi ligjin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA