Në burgjet shqiptare mbahen rreth 4500 të burgosur dhe të paraburgosur që presin drejtësinë.
Por disa prej tyre sipas një inspektimi të thelluar dyshohet se janë punësuar fiktivisht për të korrigjuar sjelljen e tyre por ç’është më e rëndësishme për të lënë sa më shpejt sistemin penitenciar.
Katër prokurori kanë nisur hetimet bazuar në gjetjet e deritanishme të burgjeve ku është konstatuar se në vite të ndryshme të dënuar të rëndësishëm të krimit kanë përfituar punësime që nga biblioteka e deri në magazina, pa punuar asnjë ditë. Madje në kartelat individuale të të burgosurve pëfitues nuk ekziston asnjë dokument mbi kriteret e punësimit dhe puna konkrete që ai ka kryeri.
Ky punësim ka sjellë sipas burimeve të Top Channel zbritjen e dënimit 40 ditë për çdo vit si dhe ndërtimin e një profili të ri me sjellje te mirë në qeli ose ashtu siç konsiderohet në një shkresë zyrtare që Top Channel disponon ekskluzivisht një dëshmi rehabilitimi që i vendos gjykatat në pozitë komode për të liruar eksponentë tejet të rrezikshëm të krimit.
Mes 12 rasteve të referuara deri më tani në Prokurorinë Elbasanit, Korçës, Krujës , Lezhës dhe Shkodrës radhiten si të punësuar fiktivisht, pa shprehur as një interesin për të punuar dhe me dosje bosh , emrat të dënuarish që kanë fituar lirinë që nga Elidon Kotorri deri tek Lulzim Caka.
Burime të Top Channel shtuan se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e ka shtrirë hetimin e punësimeve përgjatë viteve 2015 deri në 2020. në shkresën që Top Channel disponon të shpërndarë në 24 burgje urdhërohet një hetim më i thelluar si dhe kërkohet shmangia e trajtimit preferencial të të burgosurve përmes falsifikimit të punësimit.
Nga kontrollet e deri tanishme që kanë shkundur pluhurin e dosjeve të vjetra të problemeve të njohura, të prekura për herë të parë veçohen një sërë shkeljesh . Në urdhrin e datës 1 shtator të Drejtorit të Përgjithshëm Agim Ismaili, theksohet se nga çështjet e kontrolluara ndaj të dënuarve VIP përfitues të punësimit fiktiv , nuk ekzistojnë në asnjë rast të vetëm dokumente të komisionit të posaçëm që të konfirmojë llojin e punës që ka kryer i dënuari.
Ismaili urdhëron rivlerësimin e çdo të dënuari që kërkon të punojë në qeli duke i mohuar çdo të dënuari të përfshire në ngjarje të forta kriminale punësimin që më pas i hap dyert e qelisë.
Anila Hoxha
Top Channel