Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Podgoricë, Judy Rising Reinke, e cilësoi shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi si “moment historik” për demokracinë e këtij vendi.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i shpalli të hënën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 30 gushtit, në bazë të të cilave partitë e deritashme opozitare kanë fituar shumicën e mandateve për deputetë.
“Qeveria amerikane i gëzohet partneritetit me qeverinë e ardhshme, të konstituuar përmes një procesi demokratik”, tha ambasadorja Reinke në një deklaratë dërguar mediave në Mal të Zi.
“Derisa procesi demokratik vazhdon në periudhën e formimit të qeverisë së re, Qeveria amerikane mirëpret premtimet e udhëheqësve të ndryshëm politikë se do ta mbajnë Malin e Zi në rrugën euro-atlantike, se do t’i ruajnë elementet kryesore të politikës së jashtme malazeze dhe se do t’iu japin prioritet reformave të nevojshme për përshpejtimin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Reinke, duke bërë po ashtu thirrje për mbrojtjen e pakicave në Mal të Zi, të të drejtave të njeriut dhe të parimeve kryesore të demokracisë.
Tri koalicionet e deritashme opozitare, që pritet të formojnë Qeverinë e Malit të Zi, janë: “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, “Paqja është kombi ynë” dhe “E zeza në të bardhë”.
Udhëheqësit e tyre kanë nënshkruar më 9 shtator një marrëveshje me shtatë parime, mbi të cilat do të mbështetet qeveria e ardhshme.
Ato përfshijnë: vazhdimin e bashkëpunimit me NATO-n dhe mosvënien në diskutim të njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Pjesëtarë të koalicionit “Për ardhmërinë e Malit të Zi” kanë bërë thirrje në të kaluarën për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga Mali i Zi dhe kanë kundërshtuar anëtarësimin e këtij vendi në aleancën ushtarake të NATO-s. REL
Top Channel