Naftëtarët e Ballshit sërish në protestë për pagat, përplasje me policinë

14/09/2020 10:47

Punonjësit e rafinerisë së naftës në Ballsh janë mbledhur serish para dyerve të kompanisë punëdhënëse sepse ata nuk kanë marrë pagat e prapambetura dhe nuk kanë filluar akoma punën.

Që prej orës 10.00 qindra protestues janë grumbulluar përpara hyrjes së uzinës në pritje të zgjidhjes së problemit. Pas nënshkrimit të kontratave individuale, drejtuesit e rafinerisë nuk kanë mbajtur premtimet. Në hyrje të kompanisë janë vendosur forca të shumta policie dhe FNSH. Protestuesit kanë tentuar disa herë të çajnë kordonin për të hyrë në ambientet e saj, por kanë hasur në rezistencë me uniformat blu.

Mes punonjësve dhe policisë ka ndodhur kundërshtim, përplasje e konfrontim fizik. Ata thonë se kompania me të cilën kanë lidhur kontratë deri në këto momente është një fantazmë.  Punonjësit thonë se “në vend që të priteshin nga punëdhënësi,  u pritën nga një grup i madh i forcave ‘Shqiponja’, Polici e shtetit dhe polici private”.

Kujtojmë se naftëtarët e Ballshit prej kohësh janë në protestë për pagat e tyre të prapambetura, të cilat nuk janë dhënë nga kompania përkatëse.

Edhe pse në një situatë që në vendin tonë po rritet numri i të prekurve me COVID-19, përsëri naftëtarët e Ballshit janë mbledhur para kompanisë punëdhënëse për të kërkuar të drejtën e tyre. Ata janë ngjitur me njëri-tjetrin pa asnjë distancë, ku shumica nuk kanë as maska mbrojtëse.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA