Presidenca e Francës konfirmoi të hënën se analizat e bëra në këtë shtet kanë arritur në përfundimin se udhëheqësi i opozitës ruse, Aleksei Navalny, është helmuar me agjentin nervor Noviçok.
Kjo është “në kundërshtim me normat ndërkombëtare për përdorimin e armëve kimike”, thuhet në reagimin e Pallatit Elysee.
Sipas të njëjtit, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka kërkuar presidentit rus, Vladimir Putin, që urgjentisht të ndriçojë “rrethanat e kësaj vrasjeje në tentativë” dhe “të gjejë përgjegjësit”.
Më herët, Gjermania tha se analizat e pavarura të laboratorëve në Francë dhe Suedi kanë konfirmuar se ka prova se kritiku i Kremlinit është helmuar me Noviçok.
“Ne e përsërisim thirrjen që Rusia të tregojë se çfarë ka ndodhur. Jemi në kontakt të ngushtë me partnerët tanë evropianë për hapat e mëtejshëm”, tha përmes një deklarate Qeveria gjermane.
Navalny është sëmurë papritmas gjatë një fluturimi brenda Rusisë, më 20 gusht.
Disa ditë më vonë është dërguar në mjekim në Gjermani, me kërkesë të gruas së tij.
Ka ditë që ekspertët gjermanë kanë konstatuar se Navalny është helmuar me Noviçok, por autoritetet ruse kanë refuzuar të nisin hetime, duke thënë se nuk ka prova të fuqishme për helmim.
Më 9 shtator, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë se ka shumë mundësi që helmimi është urdhëruar nga zyrtarë të lartë në Moskë.
Ekipi i Navalnyt, të afërmit e tij dhe të tjerë gjithashtu besojnë se autoritetet ruse qëndrojnë pas helmimit. Kremlini i ka mohuar fuqishëm akuzat.
Spitali Charite në Berlin, ku po trajtohet Navalny, tha të hënën se gjendja e tij është duke u përmirësuar dhe se ai “mund të ngrihet tani nga shtrati”.
Top Channel