Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, mori pjesë në Konferencën kundër Terrorizmit të organizuar nga Kryesia Shqiptare e OSBE-së.
Në një reagim në Facebook, lidhur me pjesëmarrjen e tij në konferencë Kryediplomati Cakaj theksoi tre elemente kryesore.
Së pari, Cakaj u shpreh se përqëndrimi në shkaqet që mundësojnë rritjen e ekstremizmit të dhunshëm është i një rëndësie të jashtëzakonshme. Ndonëse puna e institucioneve të sigurisë mbetet e pazëvendësueshme, sot, sipas Ministrit në detyrë Cakaj, duhet veprim i përbashkët për të ndryshuar shkaqet ekonomike e shoqërore që mundësojnë shfaqjen e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Së dyti, Kryediplomati nënvijëzoi se forcimi i bashkëpunimit mes institucioneve publike, mediave dhe ndërmarrjeve të ndryshme teknologjike vazhdon të jetë thelbësor për të parandaluar përhapjen e rrëfimeve ekstremiste.
“Për më shumë, bashkëpunimi ynë mbart edhe një vlerë të patjetërsueshme për zbulimin e informacioneve të nevojshme për të parandaluar sulmet e mundshme terroriste.” – u shpreh Cakaj në reagim.
Së treti, Ministri në detyrë Cakaj theksoi se bashkëpunimi e solidariteti ndërkombëtar janë parakushte themelore për një luftë të sukesshme kundër terrorizmit.
“Përderisa bashkërisht kemi bërë një punë të frytshme, OSBE duhet të forcojë përkushtimin e saj për të parandaluar dhe zhbërë terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm.” – përfundoi Cakaj.
Top Channel