Pas vdekjes së papritur të profesorit Sabit Brokaj kanë reaguar duke dhënë nga një mesazh ngushëllimi për familjarët e tij, Presidenti i Republikës, Ilir Meta dhe Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Në mesazhin e tij Presidenti Meta i shpreh ngushëllimet famlijes dhe e cilëson si një humbje të pazëvendësueshme vdekjen e profesorit.

Mesazhi i Metës:

“Trishtues lajmi për ndarjen nga jeta të Profesor Sabit Brokaj, mjekut dhe intelektualit të shquar, gjithmonë të angazhuar në çështjet kombëtare edhe si deputet e ministër.

Ngushëllimet më të ndjera familjes Brokaj, të afërmve dhe miqve të tij për këtë humbje të pazëvendësueshme që na lëndoi të gjithëve ne që e njohëm nga afër.

I paharruar kujtimi i Profesor Sabitit!”

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/posts/3344995755546674

 

Po ashtu Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka drejtuar sot një mesazh ngushëllimi familjes së tij.

Ruçi e cilëson Brokajn si një ndër politikanët më parimorë, më të urtë dhe më të mençur të Shqipërisë, bashkëthemelues i të majtës shqiptare dhe mbartës e përçues i vlerave më të mira të saj, si edhe i virtyteve më të larta të shqiptarëve.

Mesazhi i plotë i Ruçit:

“Të dashur Mira, Inesa dhe Krenar,

Me dëshpërim e dhimbje të thellë mora vesh lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Sabitit, bashkëshortit e prindit  tuaj të shtrenjtë dhe kolegut e shokut tim të dashur.

Sabit Brokaj ishte  një ndër personalitetet e mjekësisë shqiptare, me një kontribut të pakrahasueshëm në zhvillimin dhe konsolidimin e shërbimit të kardiologjisë, dhe për të cilin ka fituar mirënjohjen e kolegëve dhe të qytetarëve.

Sabiti do të kujtohet si një ndër politikanët më parimorë, më të urtë dhe më të mençur të Shqipërisë, bashkëthemelues i të majtës shqiptare dhe mbartës e përçues i vlerave më të mira të saj, si edhe i virtyteve më të larta të shqiptarëve.

Si deputet për disa legjislatura në Kuvendin e Shqipërisë, shkëlqeu për përkushtimin e pashoq, arsyetimet e thella, logjikën e pakundërshtueshme, oratorinë dhe elokuencën, por edhe thjeshtësinë mbresëlënëse dhe lidhjet e pandashme me njerëzit.

Si dekan i Fakultetit të Mjekësisë, profesor Sabiti kontribuoi për modernizimin e mësimdhënies e të formimit të mjëkëve të rinj shqiptarë me dijet e shprehitë bashkëkohore.

Si  Ministër i Shëndetësisë, u shqua për drejtimin e mençur përballë sfidave të mëdha që kërkonte mbrojtja e shëndetit të popullit, në rrethana tepër të vështira.

Si Ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë në një ndër periudhat më kritike për vendin, kontriboi në modernizimin e ushtrisë shqiptare dhe rritjen e bashkëpunimit të saj me NATO-n dhe aleatët strategjikë të Shqipërisë, ShBA dhe vendet e BE-së.

Sabiti do të na mungojë gjatë të gjithëve, por boshësinë e krijuar me ikjen e tij të parakohshme, do të mbushin kujtimet e respekti dhe nderimi për këtë bir të shquar të Shqipërisë e të Labërisë, për këtë trim të mendjes e të veprimit, për këtë patriot të madh, për këtë  njeri të jashtëzakonshëm, që u shërbeu familjes, atdheut dhe njerëzve deri në çastet e fundit të jetës.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në letrën e ngushëllimit drejtuar familjes së Profesorit Sabit Brokaj.

 

 

 

Top Channel