Shkolla 9-vjeçare “Jeronim de Rada” rihapet sërish si një derë e madhe për të gjithë nxënësit e Njësinë Nr. 9 në kryeqytet. Pas 54 vitesh shkolla “Jeronim De Rada” iu nënshtrua rikonstruksionit të plotë nga ana e Bashkisë së Tiranës me mbështetjen e Fondacionit të Katarit.

Në ceremoninë e hapjes, ku merrnin pjesë edhe shumë ish-nxënës të saj si Irma Libohova, Mimi Kodheli, Ervin Bushati, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaroi se hapja e një shkolle, është edhe një mundësi për të rinjtë për të qëndruar larg rrugës kriminale. “Unë besoj sot që me hapjen e një shkolle kemi hapur mundësi që nuk do të detyronte askënd të bënte një punë tjetër që nesër mund ta çonte në burg. Sot me statistikë në Tiranë po ulet numri i atyre që tundohen nga rrugët kriminale dhe po shtohet numri i atyre që jo vetëm vijnë në shkollë por shkojnë në aktivitete sportive, kulturore. Më në fund të Tiranë, statistikisht po hapim më shumë shkolla dhe po mbyllim më shumë burgje. Nënshkrimi dje për 5 milionë dollarë të tjera për të ndërtuar 2 shkolla dhe një kopsht. Shkollën “Lasgush Poradeci” në Kombinat, shkollën “16 Shtatori” në Pezë dhe kopshtin 42 në zonën e Bllokut, mbulon 3 institucionet e fundit”, tha Veliaj.

Ai theksoi se ata që sot kritikojnë, kur ishin në krye të Bashkisë treguan se nuk ishin dot në gjendje të ndërtonin qoftë edhe një shkollë të vetme.

“Për ata që nuk bënë asnjë shkollë në Tiranë dhe gjithsesi i bënë udhëtimet në vendet e Gjirit por kurrë nuk erdhën duart plot për një kontribut për qytetin, por e mbaruan si një ekskursion turistik, dua t’ju them, duroni dhe do të shikoni një tjetër mrekulli si kjo që bëmë me miqtë e Katarit, te shkolla “Sami Frashëri”, do jetë dy herë më e madhe, dy herë më e fortë dhe dy herë më jetëgjatë dhe shumëfish, disa herë më e bukur”, deklaroi kreu i Bashkisë.

Kryetari i Bashkisë u ndal dhe tek shkolla e Pezë Helmësit, teksa sqaroi se ajo do të rindërtohet si pjesë e programit “EU4Schools”, me donacion nga Bashkimi Europian, dhe rikonstruksioni i plotë i saj po menaxhohet nëpërmjet UNDP.  “Sërish prapë histeria kolektive për shkollën në Pezë Helmës. Shkolla në Pezë Helmës është një lot siç kolegët e kanë parë. Bashkimi Europian dhe PNUD-i kanë marrë disa shkolla dhe shkolla në Pezë Helmës është pjesë e atij loti. Nuk i cakton Bashkia e Tiranës afatet, garat, apo rregullat që të bëhet sipas atij donator. Siç ne me Katarin kemi rregullat e bashkëpunimit dhe të financimit, Bashkimi Europian që është komplet një qeveri më vete, ka rregullat e veta, PNUD-i i OKB-së që është një qeveri më vete, ka rregullat e veta. Kjo do të thotë që shkolla në Pezë Helmës gjithashtu do të bëhet por do të bëhet me të tjerë miq”, theksoi Veliaj.

Përfaqësuesi i Fondacionit të Katarit Khalifa Bin Jassim Al Kuwari theksoi se ky projekt është një shenjë solidariteti dhe një dhuratë, nga lartësia e tij Emiri i shtetit të Katarit dhe nga populli i Katarit për vëllezërit e tyre në Shqipëri

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA