Nisja e vitit të ri shkollor, Shahini: Të zbatohen protokollet e sigurisë së shëndetit, nëse ka të infektuar kemi planin B

13/09/2020 19:29

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka uruar të gjithë nxënësit për vitin e ri shkollor, duke theksuar se duhet të zbatohen të gjitha rregullat e nevojshme për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Përmes një video-mesazhi, ajo ka përcjellë urimin, ndërsa nënvizon edhe masat e ndërmarra për të siguruar një fillim sa më të mbarë të tij. Ajo shprehet se në shkollë do të veprohet përmes rregullave anti-covid që të minimizohet përhapja e koronavirusit në shkollë. Në rast se do të ketë të infektuar, sipas Shahinit do të duhet të mbyllet ndonjë klasë apo ndonjë shkollë dhe do të vazhdohet me planin B që është mësimi online.

“Nxënës të dashur! Nesër do të uleni në bankat e shkollës përsëri për të filluar vitin e ri shkollor 2020-2021. Kjo është një ditë e madhe dhe e rëndësishme për ju, ndaj jemi përkujdesur me stafet e shkollave, mësuesit tuaj, drejtorët e shkollave, si dhe të gjithë institucionet përgjegjëse për të siguruar një fillim sa më të mbarë për vitin e ri shkollor. E di që do e keni shumë të vështirë të ndiqni protokollet e sigurisë së shëndetit që kemi vendosur në shkollat tuaja, por kjo është e domosdoshme në mënyrë që të minimizojmë përhapjen e koronavirusit në shkollë, i cili është ende mes nesh, dhe në mënyrë që të qëndrojmë sa më gjatë në shkollë. Në rast se duhet të mbyllim ndonjë klasë apo ndonjë shkollë për shkak të infektimeve, Ministrja Shahini cilëson se “do të mbështetemi tek plani B, që është kanali “RTSH Shkollë”, ku i kemi të xhiruara të gjitha leksionet që do t’i zhvilloni edhe në shkollë me mësuesit tuaj, dhe kemi edhe platformën online që do të shërbejë për mësim në kushte shtëpie. Në fund, duke sjellë në vëmendje se në ambientet e brendshme të shkollës janë të afishuara edhe rregullat për t’u ndjekur gjatë mësimit e qëndrimit në shkollë, Ministrja Shahini uron shumë suksese e mbarësi në vitin e ri shkollor 2020-2021”, thotë Shahini.

Kujtojmë se viti i ri shkollor i sistemit parauniversitar do të nisë nesër dhe nxënësit do të ulen në bankat e tyre të shkollës pas 6 muajsh mungesë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA