Mijëra refugjatë dhe migrantë kanë kaluar një natë të tretë në qiell të hapur në ishullin grek Lesbos pasi dy netë të njëpasnjëshme zjarresh në kampin famëkeq të mbipopulluar Moria i lanë ata të pastrehë. Autoritetet greke kanë thënë se zjarret ishin vënë qëllimisht nga banorët e kampit të zemëruar nga masat izoluese për koronavirusin.
Disa u zgjuan të premten pasi fjetën në anë të rrugës. Ata prenë kallamishtet dhe përdorën batanijet e shpëtuara nga zjarri për t’u mbrojtur nga i ftohti i natës dhe dielli përvëlues i ditës.
Të tjerët përdorën çadra për t’u mbrojtur nga kushtet e motit.
“Pa ujë dhe pa ushqim prej tre ditësh. Jemi të sëmurë dhe me probleme. Fëmija dhe gruaja janë të sëmurë. Nuk di si do bëjmë”, thotë Mujtaba Noori, emigrant nga Afganistani.
Autoritetet greke kanë thënë se zjarret të martën dhe të mërkurën në mbrëmje u vunë qëllimisht nga disa prej banorëve të kampit të zemëruar nga urdhrat e izolimit për të parandaluar përhapjen e koronavirusit pasi 35 banorë u zbulua se ishin infektuar.
Kampi ishte vendosur tashmë nën izolim deri në mes të shtatorit, pasi u zbulua rasti i parë – një shtetas somalez që kishte fituar azilin dhe ishte larguar nga kampi, por që ishte kthyer në Moria nga Athina.
Organizatat e ndihmave kanë paralajmëruar prej kohësh për kushtet e rënda në kamp, i cili ka një kapacitet prej pak më shumë se 2’750 njerëz, por që strehonte më shumë se 12’500 brenda dhe në një qytet çadrash të improvizuar në një ullishte aty pranë.
Situata ka çuar në një tension në rritje, si midis migrantëve dhe refugjatëve brenda kampit, ashtu edhe me banorët lokalë të cilët kanë kërkuar prej kohësh që Moria të mbyllet.
Zjarri i së martës mbrëma la rreth 3’500 banorë të kampit të pastrehë, njoftoi ministri i migracionit.
U sollën tenda dhe një traget dhe dy anije detare do të siguronin akomodim emergjent.
Por mbetjet e kampit u dogjën të mërkurën në mbrëmje, duke i lënë pa strehë banorët e mbetur.
Freddy Musamba, një emigrant nga Gambia, iu lut Bashkimit Evropian për t’i mbështetur ata.
“Ne jemi si fëmijë të braktisur. Kemi duruar gjëra që nuk e dinim se mund të ndodhnin“, u ankua ai.
Të mërkurën, një zëdhënës i qeverisë theksoi se askush nga banorët e kampit, përveç 406 adoleshentëve dhe fëmijëve të pashoqëruar që kishin jetuar atje, nuk do të lejohen të largohen nga ishulli.
Të miturit e pashoqëruar u transportuan drejt kontinentit dhe u vendosën përkohësisht në hotele të mërkurën në mbrëmje.
Moria strehon njerëz nga Afrika, Azia dhe Lindja e Mesme që mbërritën në ishull nga bregdeti turk afër pasi iu larguan varfërisë ose konfliktit në atdheun e tyre.
Sipas një marrëveshjeje të vitit 2016 midis Bashkimit Evropian dhe Turqisë, ata që mbërrijnë në ishujt grekë do të qëndronin atje në pritje të kërkesës së tyre të suksesshme për azil, ose dërgimit pas në Turqi.
Por një grumbullim masiv i kërkesave për azil, i kombinuar me mbërritjet e vazhdueshme dhe pak deportime çuan në mbipopullim masiv në Moria dhe kampe të tjerë në ishujt lindorë të Egjeut./VOA/
Top Channel