“Partia Socialiste do ta fitojë mandatin e tretë në 25 Prill vetëm me punë.”
Ka qenë ky mesazhi që kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherësh drejtues politik i Partisë Socialiste në Tiranë, Erion Veliaj ka dhënë për të rinjtë që kanë nisur rrugëtimin për të marrë drejtimin e Forumit Rinor Eurosocialist.
“Më vjen mirë që ne besojmë fort te puna. Jo të gjitha forcat politike besojnë te puna. Ka të rinj të forcave të tjera politike që besojnë se një birrë në Jalë është aspirata më e madhe që mund të kesh në jetë. Ka njerëz që ambicien e kanë te një birrë, apo kafe falas. Ambicia e të rinjve socialistë është puna, jo qyli, është talenti, jo nepotizmi, është aftësia për të punuar në grup, jo lajkat ndaj një kryetari, ose kryetareje. Unë besoj që puna është ajo që transformon realitetin,” u shpreh Veliaj, duke shtuar se celësi për një mandat të tretë për të vijuar punët është skuadra dhe Partia Socialiste e ka tashmë udhëheqjen e duhur drejt fitores së skuadrës së saj.
“Ne kemi një njeri që e drejton skuadrën tonë, që është fitues, quhet Edi Rama. Duhet një skuadër e tërë që të punojë kudo, që të transformojë këtë realitet dhe që falë punës të shkojmë përpara. Ne po përgatitemi për një mandat të tretë dhe fare mirë mund të thonim, “shiko nuk kemi kohë për këto muhabetet e FRESSH, ne jemi në mes të fushatës, për 227 ditë ne marrim mandatin e tretë, kështu që me ju do flasim më vonë”, por puna ka radhë. Ne fillimisht do rregullojmë gjërat në shtëpinë tonë, para se të marrim përsipër një mandat të tretë, për të rregulluar dhe vazhduar reformat, progresin, punën në shtëpinë e secilit prej shqiptarëve,” deklaroi Veliaj.
“Diferenca e të rinjve të Partisë Socialiste u tregua më së miri në tragjedinë e 26 Nëntorit dhe situatës së vështirë që kaluan qytetarët shqiptarë me pandeminë e Covid-19,” – tha më tej Veliaj, – “duke zgjedhur jo fjalët dhe ankesat, por t’u qëndronin pranë më të pamundurve dhe njerëzve në nevojë”.
“Disa të rinj të nxjerrin sytë dhe të thonë, “ja të ndodhi tërmeti”, kurse disa të rinj të tjerë thonë, “po, ndodhi tërmeti, por unë do jap një ndihmë, unë do të ndihmoj te një shtëpi që po ndërtohet, do çoj një koli me ushqime, do bëj pazarin për një pensionist, unë do sjell mjekun dhe infermierin për një injeksion”. Kjo është diferenca mes të rinjve të FRESSH që thonë: “Çfarë do bëj une për Tiranën, Shqipërinë, PS, për fitoren tonë?” dhe jo ankesa dhe qarje. Askund nuk janë gjërat perfekt. A po i shihni protestat në Amerikë? Patjetër, në çdo vend të botës, edhe në vendin më të zhvilluar, ka gjithmonë gjëra për t’u përmirësuar, paragjykime për të zgjidhur, ka ekonomi për të zhvilluar edhe në vendin më të pasur të botës. Por, ata që ndryshojnë gjërat janë ata që zbresin në arenë, që zbresin në Amfiteatër, që marrin përsipër detyra, që garojnë dhe pastaj bëhen pjesë e ekipit më të madh, më patriotik dhe si gjithmonë më fitues në Shqipëri,” deklaroi Veliaj.
Drejtuesi i Qarkut të Tiranës u shpreh se Partia Socialiste do ta fitojë mandatin e tretë përmes bashkimit, jo përçarjes.
“Jetojmë në një situatë ku kudo kthejmë kokën ka mllef, ka helm, ka pengesa, ka stërkëmbësha. Misioni ynë është që të jemi ilaç, misioni ynë është që të jemi mjaltë, misioni ynë është që të kurojmë, misioni ynë është që të pajtojmë, misioni ynë është që të bashkojmë. Boll përçarje ka. Të rinjtë e forcës tjetër, që është dy herë më pak se e jona janë duke diskutuar nëse një plak 80-vjeçar duhet të shkojë në Parlament, pasi i ka bërë ka shumë fatkeqësi Shqipërisë. Imagjinoni ku është niveli i debatit të tyre. Niveli i debatit tonë është krejt tjetër. Ne themi, siç bëmë Liqenin e Tiranës, të bëjmë atë të Farkës, siç bëmë Amfiteatrin këtu, të bëjmë Amfiteatrin në Universitetin Bujqësor, siç bëmë atë progres në urbanizimin e qytetit, ta bëjmë edhe në fshat. Kjo është puna, jo si do kthejmë një plak 80 vjeç në Parlament që të mbajë peng rininë e asaj partie, që gjithmonë e më shumë tkurret, e gjithmonë e më shumë shohin te forca jonë të ardhmen e tyre, secilit kur PS është e fortë, Shqipëria është e fortë,” deklaroi Veliaj.
Top Channel