Pandemia shtoi paratë jashtë bankave/ Shifra rekord, 2.6 miliardë euro në 2020. 290 milionë euro vetëm në mars-korrik

07/09/2020 19:54

Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë për të ulur përdorimin e parasë cash’ në ekonomi, paraja që qarkullon jashtë kanaleve bankare ka arritur në nivele rekord.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, sasia e parasë jashtë sistemit bankar arriti vlerë e 324.5 miliardë lekëve në Korrik, ose 2.6 miliardë euro, duke u rritur me rreth 41 miliardë lekë më shumë se kundrejt korrikut të vitit 2019.

Tendenca e shtimit të parasë cash në ekonomi nuk është evidentuar vetëm gjatë Korrikut, por prej fillimit të këtij viti, për t’u përkeqësuar ndjeshëm gjatë marsit, kohë kur shpërtheu edhe Covid-19 në vend.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë periudhës mars-korrik paraja jashtë bankave u rrit me 35.5 miliardë lekë ose 290 milionë euro, duke reflektuar pasigurinë e bizneseve dhe individëve për të ardhmen.

Ndikim në spostimin e parasë jashtë bankave duket se ka dhënë edhe shtyrja e kësteve të kredive, duke bërë që të rritet likuiditeti për bizneset e individët, çka përkthehet në flukse rënëse brenda sistemit bankar.

Rritja e qarkullimit të parasë cash në ekonomi është një tregues i informalitetit të lartë në ekonomi, për të cilin nuk ka ende një të dhënë zyrtare nga instancat shtetërore.Në këtë kuadër, qeveria ka lancuar tashmë dy nisma që pritet të reduktojnë ndjeshëm këtë fenomen, atë të fiskalizimit si dhe amnistinë fiskale.

Genta Dobra

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA