Bashkia e Tiranës po rehabiliton bllokun e banimit “Disha”, ku përfshihet rikonstruksioni nga e para e 38 rrugëve, rrjeti i ujësjellës-kanalizimeve, vendosja e ndriçimit LED, si dhe trotuare. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ky është një tjetër premtim i mbajtur, që flet më shumë se çdo shashkë.
“Kjo është prova se punojmë njësoj, si në Rrugën e “Durrësit”, si në rrugën “Disha”; pra, si në qendër, ashtu edhe në periferi. Ka qenë një vit i vështirë, i jashtëzakonshëm, sepse brenda vitit përjetuam dy tërmete dhe pandeminë, por është fakt se nuk kemi hequr dorë nga asnjë investim. Fakti që kthehemi sot me kokën lart dhe takojmë po ata banorë, që i kemi takuar para 1 viti, të cilët na thonë e mbajtët fjalën, flet më shumë se çdo shashkë”, theksoi Veliaj.
Ai siguroi se angazhimi si drejtues politik në Tiranë, do të rrisë praninë e bashkisë dhe do të dyfishojë punët. “Kam një sqarim për qytetarët dhe të gjithë ata që ndihen të shqetësuar se prej angazhimit tim politik, edhe drejtues politik i Bashkisë së Tiranës, puna do të zvogëlohet. Në fakt, e kundërta është e vërtetë: Puna do të dyfishohet sepse do të jemi më prezentë, jo vetëm me strukturat tona bashkiake, por edhe me strukturat tona politike. Kjo do të thotë se do të marrim më shumë informacion dhe do të bëjmë më shumë punë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku i bëri thirrje Lulzim Bashës të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme në Tiranë dhe të ballafaqohet me bilancin e punëve në kryeqytet. “Kam një propozim: Lulzim Basha duhet të kandidojë në Tiranë dhe duhet të udhëheqë fushatën e Tiranës, sepse nuk mund të kërkosh punën e Edi Ramës, pa u ballafaquar njëherë me punën që kishe në Bashki. Pa u ballafaquar me bilancin e punës që ka bërë, asnjë nga ne nuk kërkon dot një punë tjetër sepse nëse ke dështuar te puna që kishe, punëdhënësi tjetër të thotë: si mund të të marr unë ty kur ke dështuar një herë dhe të bëj suksesin tim? Për të gjitha këto arsye, Lulzim Basha duhet të kandidojë në Tiranë”, theksoi Veliaj.
Ai deklaroi se në këtë ballafaqim, Basha, si drejtues i PD, do të përballet me listën e punëve dhe premtimeve të pambajtura. “Sa shkolla bëri ai? Zero! Sa shkolla kemi bërë dhe po bëjmë ne? 33 në total. Sa rrugë, sa pemë kemi mbjellë? Sa korsi biçikletash kemi bërë? Ky është një moment i mirë të flasim edhe për oligarkët. Kush e kishte taksën e ndërtimit sa për të larë gojën dhe kush ua ka 10-fishuar taksën atyre? Këto investime bëhen me taksën e ndërtimit të oligarkëve. Prandaj, përpara se të shkojmë në zgjedhje, le të bëjmë një ballafaqim këtu në Tiranë, ku Basha si drejtues i PD të përballet me CV-në e tij, me listën e punëve dhe premtimeve të pambajtura. Paskëtaj, le ta vlerësojë qyteti i Tiranës se kush e ka bërë punën mirë dhe se kujt mund t’i besohen edhe punë të tjera. Unë mezi e pres këtë betejë, jo si betejë llogjesh, por si betejë punësh, premtimesh të mbajtura apo suksese të arritura, të paktën për palën tonë”, tha ai.
Veliaj u shpreh se ndryshe nga koha e Bashës, kur mbështetja për prindërit e rinj ishte zero, sot qeveria jep çekun e bebes, kurse bashkia e plotëson edhe me një shportë me produktet bazë që i duhen një familjeje të re për ditët e para. “Meqë Lulzim Basha e ka merak çekun e bebes, dua t’iu kujtoj qytetarëve se në kohën kur Basha ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, çeku i bebes ishte zero. Zero para për bebet, zero para për prindërit, zero fond dhe buxhet për të ardhmen e qytetit. Sot qeveria jep 400 mijë lekë për bebin e parë, 800 mijë lekë për bebin e dytë, 1 milionë e 200 mijë lekë për bebin e tretë. Kurse bashkia e plotëson edhe me një shportë me produktet bazë që i duhen një familjeje të re për ditët e para, pasi lind fëmija”, sqaroi ai.
Duke u ndalur tek investimet, Veliaj u shpreh se transformimi po prek edhe ato zona që më parë ishin në kufi dhe nuk kishin njohur investime prej vitesh. Deputetja e PS, Elona Gjebrea falenderoi kryebashkiakun për vëmendjen dhe investimet e vazhdueshme, të cilat kanë përmirësuar jetesën e komunitetit.
Top Channel