Përmes një deklarate, Bashkia e Durrësit ka reaguar sa i takon lajmit të shpërndarë nga PD-ja dhe kreu i saj, Ferdinand Xhaferraj në lidhje me “indiferencën e bashkisë ndaj dy banorëve të Rrushkullit”.
“Bashkia e Durrësit shpreh keqardhjen për baltën dhe dezinformimin që vazhdon të bëjë Xhaferraj. Në radhë të parë, Z.Xhaferraj në lajmin e shpërndarë prej tij e fillon denoncimin duke thënë se dy banorët janë në fshatin Rrushkull njësia administrative Manzë. Është për të ardhur keq se ku është katandisur PD-ja e Durrësit dhe Xhaferraj që nuk dinë as se ku bie Rrushkulli dhe me sa duket nuk e njohin fare territorin e bashkisë Durrës. Sa për t’i mësuar kreut të PD-së gjeografinë, Rrushkulli është në njësinë administrative Sukth. Si mund të qajë hallet e njerëzve një opozitë që nuk di as gjërat më elementare. Xhaferraj mesa duket nuk është qartësuar akoma sepse dikur do të rregullonte cilësinë e diellit ndërsa dje një zonje që quhet Dilë i thotë Vera ndërsa sot Rrushkullin e transferon në Manzë. Sa për pretendimin e Xhaferrajt dhe partisë së tij se Bashkia e Durrësit është indiferente ndaj banorëve Skënder Kaculi dhe Fran Kola sqarojmë opinionin publik se: Skënder Kaculi merr rregullisht bonusin e qerasë dhe deri tani ka përfituar 8 këste ndërkohë që vazhdon ta marrë këtë bonus. Ai e ka përfituar bonusin e qerasë me vendim nr.9 dt.27.02.2020 të këshillit bashkiak.
Banesa e tij është klasifikuar me shkallë dëmi DS4 dhe me vendim nr.78 dt.10.08.2020 të këshillit bashkiak z.Kaculi përfiton nga granti i rindërtimit shtëpi të re. Pra banesa e tij aktuale do të shembet dhe ai do të përfitojë nga shteti një banesë të re, shumë më të mirë se më parë dhe me standarte të larta sigurie e kushte bashkëkohore”.
Më tej, deklarata vazhdon:
“Po kështu familja e Z.Kaculi ka qenë në fokus të njësisë administrative Sukth si familje në nevojë. Nga njësia administrative ai ka marrë shumë herë ndihma të ndryshme ushqimore dhe është asistuar për çdo problem nga punonjësit e kësaj njësie. Banori tjetër Z.Fran Kola ka një banesë të klasifikuar me shkallë dëmi DS2. Z.Kola ka aplikuar në muajin korrik për të përfituar nga granti i rikonstruksionit. Pas shqyrtimit të dokumentacionit ai është shpallur fitues dhe do të përfitojë fondin përkatës nga ky grant. Z.Kola ka nënshkruar edhe kontratën përkatëse që i hap rrugë përfitimit të grantit për riparimin e shtëpisë. Është për të ardhur keq që PD-ja e Durrësit dhe kreu i saj Xhaferraj janë katandisur në këtë situatë ku kërkojnë të përdorin njerëz të thjeshtë për të hedhur baltë e për të bërë politikë. Bashkia e Durrësit sqaron të gjithë opinionin publik se të gjithë qytetarët pa asnjë dallim janë në fokus të punës sonë të përditshme dhe se procesi i rindërtimit po ecën me ritme të shpejta. PD-ja e Durrësit le të vazhdojë të merret me shpifje e baltë duke bërë herë pas here edhe disa gafa qesharake, ndërsa Bashkia e Durrësit merret me punë dhe vetëm me punë për ti shërbyer qytetarëve e për t’i rikthyer normalitetin qytetit tonë që u trondit nga disa fatkeqësi”.
Top Channel