Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit Linda Karçanaj ka publikuar listën e 10 shërbimeve më të përdorura online në portalin qeveritar e-Albania përgjatë muajit gusht.
Sipas tabelës, certifikatat, aplikimet për pasaportë, kundravajtjet rrugore apo faturat e energjisë elektrike janë shërbimet më të përdorura.
“Ju ftoj t’i hidhni një sy kësaj tabele! Janë shërbimet më të përdorura përgjatë muajit gusht në e-Albania. Tani kujtoni pak kur nuk e kishim e-Albania…
Për një certifikatë do mbaje radhë tek gjendja civile, ndoshta me ditë e javë të tëra, dhe po ashtu për të paguar dritat, për të bërë pasaportën, të prisje me javë për deshminë e penalitetit. Kujto çfarë radhe mbante një i moshuar për vërtetim pensioni. Shtoi këtu vapën dhe pandeminë.
E-Albania ndryshoi përgjithnjë faqen e shtetit dhe administratës dhe i dha dinjitetin qytetarit. Atij qytetari që sot nuk takon më asnjë zyrtar, nuk fut më miq, nuk jep më lekë nën dorë për të marrë atë që i takon.
Në politikë njihen goditjet e ulëta ndaj kundërshtarit, për të sulmuar dhe baltosur pjesën e tij më të suksseshme por revolucioni digjital e ka kthyer Shqipërinë një shembull që vlerësohet nga OKB dhe OECD, sesi një vend i vogël e kthen teknologjinë dhe shërbimet ndaj qytetarëve në një aset mirëqënieje”, shkruan Karçanaj teksa bën me dije se në vijim do të kalojnë online edhe 394 shërbime të tjera.
“Asnjë shfokusim nga puna! Gjithë vëmendja jonë është te qytetarët dhe bizneset që po e ndjejnë çdo ditë lehtësimin që sjell e-albania.
Edhe 394 shërbime të tjera do ofrohen online në muajt në vijim për t’jua bërë kështu jetën të thjeshtë sa një klik”, përfundon drejtoresha e AKSHI-t.
Top Channel