Ndonëse është paralajmëruar se në takimin në Uashington, më 4 shtator, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, do të bisedojnë për çështje që kanë të bëjnë me ekonominë dhe punësimin e të rinjve, ende nuk është e qartë se cilat janë temat konkrete, për të cilat do të bisedohet.
Liderët e Kosovës dhe të Serbisë, do të takohen në Shtëpinë e Bardhë, me ftesën që u ka bërë Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brein.
Njohësit e zhvillimeve politike thonë se, ajo që deri më tash dihet është që delegacionet e të dyja vendeve, do të kenë disa takime bilaterale, dhe më 4 shtator do të kenë takimin e përbashkët, kryesor. Por, paqartësitë lidhur me atë se çfarë konkretisht do të bisedohet në Uashington, sipas tyre, janë rezultat i mostransparencës së palëve ndaj opinionit ose mbajtje në diskrecion e ndonjë marrëveshjeje eventuale të parapërgatitur.
Maliqi: Nuk mund të flitet vetëm për tema ekonomike
Analisti i çështjeve politike, Agon Maliqi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se çështjet që kanë të bëjnë me takimin e liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Uashington, gjatë gjithë kohës kanë qenë “të mbuluara me mister” dhe kanë krijuar përshtypjen që në prapaskenë po përgatitet diçka e madhe. Mirëpo, siç thekson ai, pesha e asaj që eventualisht mund të arrihet si marrëveshje është duke u mbivlerësuar.
“Është e vërtetë që takimi që po mbahet në Shtëpinë e Bardhë është takim i nivelit më të madh në mes të Kosovës dhe Serbisë për një kohë të gjatë. Është e vërtetë që aty nuk mund të flitet vetëm për temat ekonomike. Krijohet përshtypja që megjithatë, do të ketë mundësi që ato marrëveshje ekonomike të shoqërohen ndoshta edhe me një deklaratë ose diçka të tillë, sado të përgjithshme të synimeve politike, se sa një marrëveshje të detajuar. Ndoshta do të jetë e përafërt me atë që ishte në mes të Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, ku mund të shprehet diçka, si një lloj kornize apo synimi dhe mbase edhe afati që mund të përcaktohet. Kjo mbase është maksimumi i asaj që mund të pritet, pra, ndonjë tekst i shkurtë i tillë”, theksoi Maliqi.
Deri më tash, asnjëra palë, as ajo e Kosovës dhe as ajo e Serbisë, përveç deklaratave se në Uashington do të bisedohet për çështje ekonomike, nuk kanë dhënë shpjegime se cila do të jetë agjenda, si dhe temat konkrete për të cilat do të bisedohet.
Analistja Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që paqartësitë lidhur me atë se çfarë konkretisht do të bisedohet në Uashington, janë për shkak të mungesës së transparencës nga palët që do të jenë të përfshira në këtë takim dhe sidomos, në këtë rast, nga pala e Kosovës.
“Nëse ata nuk e dinë se çfarë ka në agjendë, atëherë si mund të thuhet në të njëjtën kohë që Kosova është e përgatitur për këtë takim? Nuk mund ta besoj që pala e Kosovës ka shkuar atje për të zbuluar se çfarë ka në takim, pa e ditur paraprakisht. Nuk mund të qëndrojë një gjë e tillë. Është diçka tjetër nëse ata janë pajtuar për atë që po duket se janë pajtuar, që të mos flasin apo mos ta bëjnë publike për çfarë do të bisedojnë. Por, ne në bazë, duhet ta dimë se cilat janë ato tema që do të ngriten dhe ku qëndrojmë ne si Kosovë”, theksoi Krasniqi.
Një marrëveshje eventuale e (pa) zbatueshme
Së fundmi, të hënën, një zyrtar i lartë i administratës amerikane, duke iu drejtuar gazetarëve, ka këmbëngulur që temat e bisedës ndërmjet liderëve të Kosovës dhe të Serbisë, do të jenë të natyrës ekonomike dhe ka përmendur çështjen e hekurudhave, linjës ajrore dhe autostradave ndërmjet dy vendeve. Siç ka theksuar ai, Shtetet Bashkuara ua lënë në dorën e palëve këto diskutime, por edhe që bisedimet do të zhvillohen për “çdo çështje”, për të cilat palët do të pajtohen.
“Ne do të testojmë nëse ekziston dëshira nga ana e palëve për të folur në lidhje me këto çështje. Mendoj se do të paraqesim pothuajse çdo çështje, por do të varet nga ata nëse duan të shkojnë më tej”, ka thënë zyrtari i lartë i administratës amerikane.
Por, analisti Maliqi shpreh mendimin që çështjet që mund të diskutohen në Uashington, mund të jenë dhe diskrete ose që administrata amerikane, në fund të bisedimeve të prezantojë dokumentin eventual apo deklaratën e përgjithshme të palëve. Marrë parasysh, siç thotë ai, qasjen e dretpërdrejtë të administratës së tanishme amerikane, mund të pritet që para palëve të shërbehet diçka, të paktën si draft, por, ai nuk beson që të jetë marrëveshja përfundimtare, ndonëse, sipas tij, nuk duhet përjashtuar as befasitë.
“Unë, para së gjithash, jam pak më skeptik, mirëpo nuk i përjashtoj befasitë. Në rast se ndonjë befasi ndodhë, atëherë kjo është për shkak se negociatat janë mbajtur në diskrecion të plotë dhe janë mbajtur në atë nivel diskrecioni, sa që nuk kanë krijuar mundësi për të fituar përshtypjen që ka ndonjë marrëveshje. Kështu që, nuk do ta përjashtoja këtë. Por, sinjalet thonë që, megjithatë, është diçka e natyrës më pak përmbajtësore”, u shpreh Maliqi.
Analistja Krasniqi thotë se për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që kur ka nisur në Bruksel në vitin 2011 e deri më tash, ka pasur mungesë transparence. Sipas saj, në rast se vazhdohet në të njëjtën mënyrë edhe në takimin në Uashington, por edhe në procesin e mëtejmë në Bruksel, zbatimi i marrëveshjeve eventuale do të jetë i vështirë.
“Ne e kuptojmë që këto janë negociata dhe ka një dozë të konfidencialitetit, në të cilin duhet të zhvillohen. Por, duhet të ketë transparencë, të paktën në vija të trasha për atë se çfarë janë duke dashur të bisedojnë palët dhe cilat janë qëndrimet tona. Do të jetë shumë e vështirë që një marrëveshje, e cila vetëm shërbehet dhe për të nuk përgatitet publiku, të jetë më pas i pranueshëm edhe nga ana e publikut. Duhet të kuptohet që këto marrëveshje duhet të kenë patjetër mbështetjen politike, por duhet të kenë edhe mbështetjen e shoqërisë”, tha Krasniqi.
Zyrtarë të administratës amerikane kanë theksuar që SHBA-ja nuk ka asnjë plan sekret lidhur me negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, siç është thënë, në rast se palët duan ndihmë nga SHBA-ja dhe nëse duan zhvillim, atëherë të dy vendet kanë nevojë përpërparim në fushën ekonomike.
Kryeministri Avdullah Hoti, ka paralajmëruar takime të nivelit të lartë në Uashinton, duke thënë që “në Shtëpinë e Bardhë janë marrë gjithmonë vendime strategjike që kanë quar në liri, pavarësi dhe integrim euro-atlantik të shtetit të Kosovës” dhe se as këtë herë “nuk do të jetë ndryshe”.
Ndërkaq, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, më 29 gusht, ka deklarur që Serbia e ka marrë agjendën zyrtare për bisedimet e radhës në Uashington, më 4 shtator, dhe se në të është vetëm “një pikë e papranueshme”, duke mos precizuar se cila është ajo.
Ky është takimi i dytë i thirrur nga Uashingtoni. Një takim i planifikuar më 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.
Në fillim të këtij viti, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell kanë nënshkruar marrëveshjet apo letrat e interesit për linjën ajrore, atë hekurudhore dhe për autostrada ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por të cilat ende nuk kanë nisur së zbatuari.
Ky pajtim mes Kosovës dhe Serbisë është arritur në kohën kur dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ishte pezulluar për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore 100 për qind për produktet më origjinë nga Serbia.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rinisi në Bruksel më 16 korrik.
Në takimet e zhvilluara së fundi në Bruksel, është diskutuar për të zhvendosurit, të pagjeturit dhe bashkëpunimin ekonomik.
Palët nuk kanë arritur ndonjë përparim. Delegacioni i Kosovës ka insistuar se po negociohen pjesë të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të përmbajë njohjen e dyanshme ndërkaq pala serbe ka thënë se ky dialog është për çështje teknike./rel
Top Channel