Rriten rastet me koronavirus në Evropë, Italia më mirë se të tjerët

30/08/2020 11:48

Prej më shumë se një muaji, në Evropë virusi qarkullon lirshëm, por lëviz me shpejtësi të ndryshme. Italia, Britania e Madhe dhe Gjermania, që në muajin gusht nisën të kapërcejnë sërish 1.000 infektimet në ditë, janë në një linjë: jo siguri maksimale, por gjendjen ende e kanë nën kontroll.

Këto vende kanë pasur më pak se 20 infektime për çdo 100 mijë banorë gjatë dy javëve të fundit, shumë më poshtë mesatares evropiane që shkon në 46 dhe prej 38 ditësh, është në rritje të vazhdueshme. Në kontinentin e vjetër ndërkohë, ka nga ato vende ku sëmundja po përhapet me ritme shqetësuese. Franca regjistroi gjatë gushtit 54 mijë raste, që do të thotë 82 pozitivë të rinj për çdo 100 mijë vetë, pra një shifër e pesëfishuar në krahasim me një muaj më parë.

Kroacia po ashtu paraqitet problematike me 80 raste në çdo 100 mijë banorë, Rumania 84 dhe me shqetësim po shihet dhe Spanja, ku kjo shifër shkon në 205. Nisur nga kjo situatë, Hungaria dhe Ukraina njoftuan se nga fillimi i shtatorit do t’ia ndalojnë hyrjen të huajve. Një hap ky të cilin që prej rihapjes në fillim të verës, shumë ishin përpjekur ta shmangnin.

Megjithatë nga e hëna, edhe Greqia do të ndalojë fluturimet me Katalonjën, ndërsa Berlini i ka ftuar shtetasit gjermanë të mos udhëtojnë më drejt zonave me rrezikshmëri të lartë, duke përfshirë këtu një pjesë të madhe të Spanjës, dhe disa rajone në Francë, përfshirë dhe vetë Parisin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA