Përplasjet mes protestuesve të “Black Lives Matter” dhe mbështetësve të Donald Trump-it në Portland të Shteteve të Bashkuara, përfunduan në tragjedi.
Një përkrahës i presidentit u qëllua me dy plumba në gjoks në mes të rrugës, ndërsa policia ende nuk e ka zbardhur plotësisht dinamikën e vrasjes së tij. Pamjet filmike treguan vetëm një person që shembet papritur përdhe dhe të tjerë që hidhen ta ndihmojnë, ndërsa pranë tyre lëvizin makina e kalimtarë të rastit.
Një fotograf i Associated Press dëgjoi të shtëna dhe pa policinë t’i shkonin në ndihmë një burri të bardhë që mbante një kapele me logon e Patriot Prayer, një grup ky i ekstremit të djathtë. Ky qytet i Oregonit ka qenë skenë protestash të ashpra që prej vdekjes së George Floys në duart e një polici të bardhë në Minneapolis tre muaj më parë.
Që prej atëherë, nuk kanë reshtur episode e vandalizmit dhe përleshjet e dhunshme. Protestat e “Black Lives Matter” këto ditë u ripërtërinë nga një tjetër incident, plagosja e rëndë e 29-vjeçarit Jacob Blake nga forcat e policisë në Kenosha të Wisconsin-it. Për shkak të plumbave, Blake ka mbetur i paralizuar.
Top Channel