SHBA/ Dallimet dhe ngjashmëritë mes dy kuvendeve partiake

29/08/2020 04:04

Republikanët e kishin radhën këtë javë për të emëruar kandidatin e tyre për zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit. Mbrëmë Presidenti Trump pranoi emërimin për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë. Ashtu si demokratët javën e kaluar, pandemia i detyroi organizatorët e Kuvendit Kombëtar Republikan të ndryshojnë planet për të respektuar distancimin fizik.

Republikanët e filluan kuvendin në dallim të dukshëm nga demokratët, duke dërguar përfaqësues të shteteve që emëruan Presidentin Trump si kandidat, në një sallë me një prani shumë të vogël nga 2500 delegatë që ishin regjistruar. Demokratët e realizuan këtë proces në formë tërësisht virtuale: delegatët flisnin nga një pikë e njohur e shtetit të tyre dhe deklaronin votën.

“Mendoj se kuvendet virtuale i ndihmuan të dyja partitë. Kjo formë u dha mundësi demokratëve të mos përballeshin me dallimet e brendshme mes tyre. Nuk pati protesta të përkrahësve të Bernie Sanders-it siç do të kishte patur në qoftë se do të ishte përmendur kandidatura e tij në sallë. Po ashtu nuk kishte thirrje për të burgosur Hillary Clinton-in siç kishte katër vjet më parë në kuvendin republikan,” thotë analisti Matthew Continetti.

Demokratët përdorën gjerësisht video me cilësi jo të lartë, për fjalime të shkurtra. Republikanët u përpoqën të krijojnë atmosferën e një kuvendi të drejtpërdrejtë me një përzierje regjistrimesh dhe fjalimesh të drejtpërdrejta nga podiumi. Vetëm një numër i vogël zyrtarësh të zgjedhur republikanë e morën fjalën. Presidenti George W. Bush nuk mori pjesë. “Mungesa e gardës së vjetër të Partisë Republikane ishte domethënëse. Zakonisht shpaloset vazhdimësia, për të treguar që kandidati ka mbështetjen e të gjithë partisë. Mungesa e figurave kryesore nënkupton një tjetër klimë brenda partisë,” thotë analistja Vanessa Beasley.

Shumë prej atyre që e morën fjalën në kuvendin republikan ishin pjesëtarë të familjes së presidentit. “Mendoj se synimi i kuvendit është të mobilizojë bazën dhe t’u kujtojë atyre përse votuan për zotin Trump katër vjet më parë. Një pjesëtar i familjes së presidentit e bën po aq mirë këtë punë sa një zyrtar i zgjedhur republikan, madje edhe më mirë, sepse e dimë që shumë votues republikanë nuk kanë besim tek makinacionet e mëparshme politike,” thotë analisti Continetti.

Zonja e Parë, Melania Trump shprehu keqardhje për ata që janë prekur nga COVID-i. Folës të tjerë vlerësuan reagimin e presidentit ndaj krizës. Megjithëse demokratët shpenzuan një pjesë të mirë të punimeve me kritika ndaj presidentit se nuk kishte bërë sa duhet ndaj pandemisë, mesazhi kryesor nuk u përcoll me fjalë: “Joe Bideni e dha fjalimin përmes internetit. Kurdo që ishte në prani të të tjerëve, ai gjithmonë mbante maskë. Nga ana tjetër, Presidenti Trump zhvilloi diskutime në Shtëpinë e Bardhë dhe askush nuk kishte maskë. Kjo dëshmon dallime të mëdha mes dy partive, jo vetëm në lidhje me reagimin ndaj pandemisë, por edhe për të ardhmen e Amerikës në përgjithësi,” thotë analisti Continetti.

Të dyja partitë akuzojnë njëra-tjetrën se u munduan të krijojnë frikë për të ardhmen e vendit nëse fiton kundërshtari. “Një fakt interesant për këtë moment është optimizmi që secila palë thotë se manifestoi në kuvendin e saj. Në Kuvendin Demokrat, kishte një ton më serioz, më intim, një atmosferë sikur vendi ishte në zi, sidomos kur u transmetuan video të atyre që kishin vdekur nga COVID-i. Në rastin e republikanëve, optimizmi u shfaq me fjalimet me zë kumbues dhe duke ngritur pyetjen se çfarë do të ndodhë nëse fitojnë demokratët,” thotë zonja Beasley.

Të dy kuvendeve u mungonin pjesëmarrësit në sallë, që në të kaluarën përcillnin me duartrokitje të zjarrta fjalimet. Këtë radhë edhe shikueshmëria televizive ra dukshëm për të dyja kuvendet krahasuar me katër vjet më parë./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA