Shumë emra në fusha të ndryshme si sport apo muzikë, kanë arritur që falë talentit të depërtojnë kudo në botë e të ngrenë lart vlerat e shoqërisë shqiptare.
Prej disa vitesh Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha dhe Ava Max po na përfaqësojnë denjësisht në tregun ndërkombëtar. Por duket se stereotipet për shqiptarët janë të shumta dhe pasojat shpesh i vuajnë edhe artistët.
Një përdoruese e “Twitter”-it, Bethany Joan, ka akuzuar këngëtaret e sipërpërmendura se kanë paguar shuma të majme parash për t’u bërë pjesë e top-listave muzikore dhe për të depërtuar në tregun muzikor ndërkombëtar.
“Ju mund të keni parë një shpërthim të pazakontë dhe të papritur të yjeve të popit shqiptar që kishin një depërtim të jashtëzakonshme në skenën kryesore të Top 40 në ShBA dhe Evropë. Këta artistë janë: Dua Lipa, Bebe Rexha, Ava Max, dhe Rita Ora. Shuma të mëdha parash për t’i bërë ato gjëra të ndodhin. Pse?”, shkroi përdoruesja e rrjetit social.
Më pas, në një status tjetër, ajo publikoi një fotografi të katër artisteve dhe të dy personave që shihen me maskë me simbolet kombëtare, duke shkruar: “Rritja e papritur e yjeve shqiptare të muzikës pop dhe lidhja e tyre me mafian shqiptare”.
Këto statuse kanë marrë vëmendjen e Bebe Rexhës e cila i ka kthyer një përgjigje personit që e akuzon atë dhe tri vajzat e tjera po nëpërmjet një statusi në Twitter.
Autorja e hitit “No broken hearts” shkruan e revoltuar se askush nuk mund të mendojë që tregu i huaj arrihet nëse vetëm ke para.
Më tej ajo ironizon duke shkruar se kush e ka numrin e mafias duhet t’ia dërgojë pasi së shpejti do publikojë një këngë e mund ta promovojë atë.
“Sinqerisht ky është budallallëk. Po ashtu nëse e gjeni “numrin e mafias” që thoni se na bëri të famshme a do të ma dërgoni edhe mua? Unë kam një këngë solo të re që do të dalë së shpejti. Ndoshta ata mund të ndihmojnë dhe “të më blejnë një hit” siç pretendon ti. Shumë për të qeshur. Mos e anashkalo faktin që femrat shqiptare kanë punuar shumë për këtë”.
Top Channel