“Secili vjen, bën fushatë dhe nëse fiton zgjedhjet zhduket për 4 vite e nuk do t’ia dijë për hallet e popullit që e ka zgjedhur. Zoti mos i dhëntë as hasmit Parlament si ky”, janë disa nga citimet me pikante të qytetarëve në anketën e zhvilluar nga Instituti i Studimeve Politike mbi cilësinë e Parlamentit.
Monitorimi përfshin periudhën 2017-2020 ku shqiptarët nuk e fshehin zhgënjimin për nivelin e deputetëve pasi mbi 86. 5 përqind e shqiptarëve ndihen të papërfaqësuar nga Parlamenti aktual.
“Ka një të dhënë interesante; kur kryetarët i kemi pyetur pse i keni sjellë këta individë problematikë, përgjigjja ka qenë ata reflektojnë nivelin e shoqërisë. Në fakt qytetarët thonë se ata nuk reflektojnë nivelin e shoqërisë. Ka një zhgënjim të madh tek ata që quhen politikanë të trazicionit dhe modele te trazicionit. Nëse i marrim kategori të caktuara ka një konsensus të dukshëm kundër prurjeve nga biznesi në politikë, kundër individëve të “fortë” në politikë dhe hyrjeve te rastësishme në politikë”, shprehet Afrim Krasniqi, Instituti i Studimeve Politike.
Afrim Krasniqi rendit dy arsye kryesore të zhgënjimit të shqiptarëve nga klasa politike.
“Së pari parlamenti aktual e ka humbur rolin kushtetues dhe askush nuk beson që parlamenti aktual kontrollon qeverinë dhe përmbush detyrat për të cilat është votuar nga qytetarët. Dhe së dyti tërheqja e opozitës ka prishur balancat politike, ka sjellë prurje të rastësishme në parlament dhe ka humbur konceptin e debatit në seanca plenare. Dhe nëse i marrim përgjigjet e tyre ato kërkojnë reformim tërësor të sistemit zgjedhor, kalimin në lista të hapura ose mazhoritar; kërkojnë deputetët që nuk i binden kryetarit të partisë, individë të pavarur me integritet dhe kërkojnë individë që mbajnë kontakte direkte me qytetarët; tri cilësi që nuk i përmbushin deputetë aktualë, jo vetëm për shkak të sistemit por edhe rrethanave specifike”, sqaron Krasniqi.
8 muaj nga zgjedhjet e përgjithshme, partitë politike kanë nisur përzgjedhjen e kandidatëve potencialë për t’i vendosur në lista. Por, cili është modeli i politikanët të cilët kërkojnë shqiptarët.
“Kur i pyesim qytetarët si e duan deputetin në idealet e tyre, është interesante se dy janë cilësitë: një e duan të ndershëm dhe të pakorruptuar, dy e duan një njeri normal në komunikimin njerëzor dhe marrëdhënie me njerëzit , me etikë dhe qytetari. Dhe kur i merr këto dy kërkesa do të thotë se nuk plotësohen nga elita politike aktuale, nga parlamenti aktual, nga deputetët. qytetarët i duan thjesht të mos jenë të korruptuar, të jenë njerëz normal, njerëz të ndershëm në marrëdhënie me ta.”.
Nëse legjislatura aktuale cilësohet si me e dobëta, ajo e vitit 92-96 vlerësohet nga shqiptarët si më e mira, ku kishte idealistë, ndërsa, ndryshe nga sot ku haset rëndom modeli i deputetit “memec”, të cilët janë vendosur në lista nga kryetari.
Top Channel