Kryeministri i vendit, Edi Rama me anë të një video-mesazhi në “Facebook”, i bën thirrje të gjithë shqiptarëve në Malin e Zi, që në zgjedhje të votojnë listën shqiptare si dhe të forcojnë bashkëpunimin me presidentin Gjukanovic dhe forcën e tij politike.
Një ditë me parë kryeministri dha një mesazh pro Gjukanovic. Ai foli në anglisht, në shqip dhe disa fjalë në serbo kroatisht duke ju drejtuar votuesve në malin e zi që të votojnë për partinë e Gjukanovic. Rama tha se nuk duhen bërë hapa pas duke nënkuptuar opozitën pro serbe dhe pro ruse në Malin e Zi. Zgjedhjet në këtë vend janë edhe një përballje mes forcave politike malazeze pro perëndimore dhe që mbështeten edhe nga shqiptarët dhe forcave pro Serbisë dhe Rusisë që përbëhen kryesisht nga minoriteti serb në Malin e Zi.
Fjala e kryeministrit:
“Kjo e dielë, 30 gusht, nuk është e zakonshme për vendin ku keni shtëpinë tuaj, ku jetoni, punoni e rrisni fëmijët tuaj!
Nuk është një e dielë e zakonshme jo sepse do të votoni dhe gjithnjë një ditë votimi s’është si te tjerat, por sepse këtë herë do t’ju duhet të bëni një zgjedhje me një rëndësi të posaçme! Dhe si asnjëherë tjetër do të zgjidhni më shumë se sa thjesht për një parti: Do të zgjidhni për vetë fatin e shqiptarëve në Malin e Zi!
Një Mal i Zi me frymën euroatlantike të botës së cilës ne, shqiptarët në Shqipëri e kudo i përkasim apo një Mal i Zi me frymëmarrje të penguar nga ndikime jashtë botës sonë! Një Mal i Zi ku pozita juaj fuqizohet brenda kornizës së vlerave e të standardeve perëndimore, të Bashkimit Europian e të NATO-s, apo një Mal i Zi ku këto pika strategjike referimi interferohen nga valë të tjera dhe pozita juaj dobësohet!
Një Mal i Zi me të cilin Shqipëria ecën krah për krah në të njëjtin drejtim dhe me të njëjtat synime madhore për të ardhmen e fëmijëve tanë apo një Mal i Zi që kthen sytë në drejtime të tjera!
Unë besoj se zgjedhja juaj është e qartë dhe shpresoj që vota juaj të jetë e bashkuar në të njëjtin drejtim që fuqizon përfaqësimin tuaj në jetën politike të Malit të Zi dhe shkon në harmoni me zgjedhjen e duhur për atë vend që duhet të vazhdojë përpara. Prandaj, ju bëj thirrje të mos e lini për asnjë arsye pa e ushtruar të drejtën e votës suaj dhe ta mbështesni sa më fuqimisht Listën Shqiptare. Ajo listë nuk është thjesht një mbledhje partish shqiptare, po lidh për herë të parë lidhur Malësinë dhe Ulqinin e, si rrjedhojë, lidh bashkë shqiptarët në ato treva për të mbështetur njeri-tjetrin dhe drejtimin euroatlantik të Malit të Zi.
Roli juaj ka qene e mbetet i pazëvendësueshëm në pavarësimin e Malit te Zi, ne zhvillimin e demokracisë shumë-etnike e zhvillimin demokratik e social të Malit të tij; Sot ju kryeni detyra te rëndësishme në të gjitha nivelet institucionale te shtetit tuaj për të mbështetur procesin e integrimit evropian;
Dhe mos e harroni çfarë përpjekjesh ka bere e bën diaspora e shkëlqyer e shqiptarëve nga Mali i Zi, si një zëdhënëse e fuqishme e interesave kombëtare anë e kënd botës dhe si mbrojtëse e frymës euroatlantike ne tërësi. Prandaj, vëllezër e motra, përfshihuni, përfshihuni, përfshihuni dhe te dielën dilni nga shtëpia për te mbështetur Listën Shqiptare dhe mbrojtur e forcuar partneritetin strategjik me Presidentin Gjukanovic, për një Mal të Zi pro-perëndimor e demokratik.
E di qe ka ende plot probleme per te zgjidhur, po ku nuk ka? E di qe ka ende shume per te arritur per shqiptaret ne Malin e Zi, po si tjetër mund te arrihet pa ate partneritet te sigurte strategjik qe ju keni ndërtuar? E di qe keni plot kritika per partine ne pushtet atje dhe për vete liderin e saj, po qe te vazhdoni te kritikoni dhe ndërkohe te keni mundësinë te realizoni me shume akoma, votoni Listën Shqiptare!”
Top Channel