Një i mitur 6-vjeçar nga fshati Siman i Gramshit, humbi jetën, ndërsa kushëriri i tij 5-vjeçar mbeti i plagosur teksa ata të dy mbrëmjen e së mërkurës po luanin me një granatë të vjetër e cila shpërtheu.

Ata u dërguan menjëherë në spital por 6 vjeçari A. Lleshi nuk mundi t’i mbijetonte dot plagëve të marra, ndërsa 5 vjeçari, u soll në spitalin e Traumës ku aktualisht po merr trajtim mjekësor.

Babai i 5 vjeçarit , Blendi Leka, tregon për Top Channel  momentet e vështira që përjetoi, kur gjeti djalin e tij te plagosur.

“Vetëm kur dëgjuam një “Bum” atje. Mirëpo s’më pëlqeu si zhurmë. Mu duk e fortë. Vetëm kur vjen një komshi pastaj dhe më thotë hajde lart. Aty pastaj diçka po ndjeja, diçka e keqe, se e dija që e kisha çunin lart.”

Pyetje: Sa fëmijë ishin që po luanin?

“Dy fëmijë ishin ata që po luanin, fëmija im dhe ai tjetri, po kishte dhe vajzat ai, po këta të dy që kishin luajtur atje. Vetëm kur vajta unë atje, ata ishin duke qarë. Çfarë ka ndodhur?! As vet se dimë thanë ata. Vetëm kur thanë se çfarë kanë gjetur atje. Vajta mora çunin pastaj. I thashë edhe nuses. U ndërruam, morëm ambulancën dhe shkuam në Gramsh. Atje sa e mjekuan pak dhe na sollën direkt në Tiranë.”

Pyetje: Po ku mund ta kenë gjetur granatën fëmijët?

“Ku ta di unë. Siç thashë, aty ka vuajtur ai fshat nga ato bombat. 97’ ka bërë të vetat . Merr njerëzit dhe hidh rrugës. Ça mund të thuash tani, eh?”

Gramshi është zona më e ndotur me municione të kohës së komunizmit. Në zonat e thella janë ende disa depo armësh që pas vitit 1997 u grabitën dhe një sasi e madhe armësh dhe municionesh u shpërndanë. Granata që shpërtheu është pjesë e municioneve që u grabitën në atë kohë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA