“Kemi ngritur alarmin për falimentin që rrezikon Shqipëria”/ Tabaku: Një rrezik i vërvitet prej 7 vitesh buxhetit të shtetit

26/08/2020 11:38

“Ka një rrezik që i vërvitet prej 7 vitesh buxhetit të shtetit dhe xhepave të shqiptarëve dhe ai quhet PPP”, shkruan në një postim në Facebook, Jorida Tabaku.

“Kemi ngritur alarmin për këtë rrezik dhe falimentin që rrezikon Shqipëria dhe xhepi i çdo shqiptari duke u përballur me arrogancën e qeverisë. Nuk kemi qenë të vetëm në këtë prognozë por edhe institucione me rëndësi dhe peshë si FMN dhe BB kanë këmbëngulur për rrezikun e iminent që kanë detyrimet e krijuara prej PPP-së ndërsa qeveria vazhdonte të mohonte njësoj si gomari që po shqyhej nga ujku. Ironikisht këto ditë qeveria ka dërguar një kërkesë pranë Bankës Botërore për të marrë një hua prej 80 mln USD me arsyetimin e manaxhimit të riskut të PPP-ve. Kjo lëvizje tërësisht hipokrite nxjerr zbuluar qeverinë në gënjeshtrat e saj të pacipa në lidhje me borxhin publik dhe mbi të gjitha riskun e PPP-ve. Njëkohësisht tregon edhe qëllimin e saj për të aplikuar për fonde dhe borxhe të panevojshme që rëndojnë xhepat e shqiptarëve. Ky borxh prej 80 mln USD mund të përdorej për kërkesa të tjera në shërbim të buxhetit nëse PPP-të do të mirëmanaxhoheshin siç ne si opozitë kemi kërkuar vazhdimisht”.

Më tej, Tabaku shprehet:

“Përpos kësaj, buxheti i shtetit i zhytyr në detyrime karshi PPP-ve po dështon të implementojë detyrimin që ka ndaj shqiptarëve. Mirëmbajtja e rrugëve të ndërtuara me taksat e shqiptarëve është në nivele alarmante pasi qeveria ka hequr dorë në 7 vite nga investimi në infrastrukturë. Ajo po investon pafundësisht në këto 7 vite në xhepat e oligarkëve duke harxhuar kot më kot taksat e shqiptarëve. Kjo histori do të marrë fund shumë shpejt! Taksat e shqiptarëve nuk do të shkojnë më në xhepat e oligarkëve për skemat e PPP-ve ndërsa Shqipëria varfërohet dhe buxheti është arka personale e kryeministrit. Shqipërisë i duhet një qeveri e përgjegjshme, që manaxhon taksat dhe investon në vepra të domosdoshme për shqiptarët dhe ekonominë e tyre. Shqiptarët kanë nevojë për një manaxhim financiar eficent në shërbim të ekonomisë së gjithsecilit”.

Për ta përmbyllur me:

“Kanë nevojë për taksa të ulëta dhe investime inteligjente, kanë nevojë për një barrë fiskale të lehtësuar, për shpërndarjen e taksave të drejtë dhe incentivuese. Një ekonomi e shëndetshme që promovon punën, një buxhet i shëndetshëm që është arka e shqiptarëve dhe jo thesi ku fusin duart pesë apo gjashtë klientë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA