37-vjeçari braktis mjetin me klandestinë, por kthehet ‘me këmbët e veta’ në komisariat për…

26/08/2020 11:03

Një 37-vjeçar ka rënë nën prangat e policisë pasi ndihmonte shtetas të huaj për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin, kundrejt përfitimit.

Pas informacioneve të siguruara policia është vënë në ndjekje të 37-vjeçarit, i cili nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar, ka braktisur mjetin dhe është larguar me shpejtësi.

Dy orë më vonë i njëjti person është paraqitur në komisariat duke bërë kallëzim të rremë pranë organeve të rendit, se i kishin vjedhur automjetin që ai kish marrë me qira.

Mbi këtë shtetas rëndojnë akuzat, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Kallëzimi i rremë”.

Qarku Korçë

Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”.

Në vijim të këtij operacioni, goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Vihet në prangat e policisë një shtetas i shpallur në kërkim, i cili transportoi 12 emigrantë të paligjshëm, nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar, si edhe bëri kallëzim të rremë pranë organeve të rendit.

Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore, Komisariatin e Policisë Devoll dhe Komisariatin e Policisë nr. 3, Tiranë, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, goditën një tjetër rast të veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit, me qëllim dërgimin e tyre drejt vendeve të BE-së. Si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasit në kërkim V. Sh., 37 vjeç, banues në Tiranë.

Forcat e Policisë, kishin siguruar informacione sipas të cilave, shtetasi i mësipërm transportonte kundrejt fitimit emigrantë të paligjshëm dhe më datë 23.08.2020, e kanë lokalizuar këtë të fundit në fshatin Cangonj, Devoll, duke drejtuar mjetin tip “Ford” dhe janë vënë në ndjekje të tij ku i kanë bërë me shenjë të ndalonte, por 37-vjeçari nuk iu bind urdhrit të tyre, braktisi mjetin dhe u largua me shpejtësi. Gjatë kontrollit në brendësi të mjetit, u gjetën 12 emigrantë të paligjshëm, të cilëve V. Sh., kundrejt fitimit prej 100 euro secilit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Më pas shtetasi i mësipërm, është paraqitur në Komisariatin e Policisë nr.3, Tiranë, duke bërë kallëzim të rremë pranë organeve të rendit, se i kishin vjedhur mjetin tip “Ford”, që ky shtetas kishte marrë me qira.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Kallëzimi i rremë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA