Një arkeolog ka zbuluar një masë të konsiderueshme monedhash të arta në veri të Gjermanisë, për të cilat ekspertët besojnë se janë fshehur në ditët e fundit të Luftës II Botërore.
Zbuluesi me detektor metalesh, gjeti monedhat nën një pemë, brenda një zarfi të zbukuruar me shqiponjë dhe kryqe të thyer nazistë, në të cilin shkruhej “Reichsbank”.
Ekspertët thonë se simbolet sugjerojnë se monedhat ishin vjedhur nga banka gjermane e kohës së luftës dhe se autori ka qenë i brendshëm.
Florian Bautsch gjeti fillimisht 10 monedha pranë qytetit të Lueneburg dhe pasi njoftoi profesionistët, këta të fundit zbuluan dhe 207 të tjera, të cilat besohet se janë me origjinë franceze, belge, italiane e austro-hungareze.
31-vjeçari tha: “E dija që kishte gjetur diçka të rëndësishme kur detektori nisi të dridhej në dorën time. Nxora 10 monedha dhe më pas i telefonova autoriteteve”.
Banka qendrore e Gjermanisë naziste quhen Deutsche Reichsbank dhe analiza e metalit sugjeronte se monedhat ishin prodhuar pas vitit 1940.
Arkeologu vendas Mario Pahlow, tha: “Monedhat u gjetën nën një pemë pishe afro 50-vjeçare që duhet të jetë rritur pas fshehjes së floririt, kështu që e dimë se ato janë fshehur në ditët e fundit të Luftës II Botërore”.
Edgar Ring, arkeologu i muzeut të Lueneburg, tha: “Autori ka qenë ose dikush që punonte në Reichsbank që kishte rol zyrtar dhe kishte akses, ose dikush që ka përfituar nga situata kaotike kur ato po transportoheshin.”
Reichsbank raportohet se ka shpërndarë sasi të mëdha floriri, argjendi e parash në vende sekrete fshehjeje në të gjithë Gjermaninë, në kohën kur Berlini shembej nën sulmin e forcave Aleate.
Ekspertët thanë se monedhat ishin në gjendje të shkëlqyer dhe koleksioni arrinte në vlerë rreth €45,000, ndërsa për vlerën e tyre historike nuk mund të flitej kollaj. Bautsch u shpërblye me €2,500 për zbulimin e tij por tha se e rëndësishme ishte avancimi i njohurive shkencore. Monedhat po shfaqen në muzeun e Lueneburg.
Top Channel