Ish-vendet komuniste në Europën Juglindore përballen me shpopullimin katastrofik me pasoja të gjera shoqërore dhe politike.Të rinjtë po largohen. Shkalla e pjellorisë ka rënë. Shoqëritë e tyre po plaken. Dhe megjithëse qindra mijëra refugjatë dhe migrantë kanë shkelur në pjesën më të madhe të rajonit, shumë pak prej tyre duan të qëndrojnë, thotë analisti i njohur britanik Tim Judah.
Kufijtë, hapësirat etnike, anëtarësimi në BE, anëtarësimi në NATO dhe çështjet e pambyllura nga luftërat e viteve 1990 – janë temat që mbushin lajmet nga Ballkani. Por një analizë serioze e rënies demografike të rajonit, shpopullimit dhe largimit të krahut të punës, është më e vështirë për t’u gjetur.
Ndoshta kjo ndodh sepse qeveritë nuk kanë as përgjigje të besueshme dhe as burime të disponueshme për të ndryshuar gjërat, shprehet Judah. Nga Greqia në Poloni, pothuajse të gjitha vendet e Europës Lindore, Qendrore dhe Juglindore janë duke luftuar me të njëjtat probleme. Sipas projeksioneve aktuale, deri në vitin 2050, Bullgaria do të ketë 38.6 përqind më pak njerëz sesa në 1990; Serbia 23.8 përqind më pak, Kroacia 22.4 përqind dhe Rumaninë 30.1 përqind. Bosnje-Hercegovina ka një normë pjellorie prej 1,26, një nga më të ultat në botë.
Kosova, me një moshë mesatare 29 vjeç, është vendi më i ri në rajon, por nuk i shpëton as ai rënies demografike. Në Shqipëri, vazhdon analisti, opozita sulmon qeverinë, duke pretenduar se deri në gjysmë milioni njerëz janë larguar nga vendi në vitet e fundit.
Kjo është megjithatë sipas tij një fantazi politike, sepse qindra mijëra vetë gjithashtu janë kthyer ose janë emigrantë që shkojnë e vijnë. Shifrat dhe përqindjet mund të ndryshojnë shprehet Judah, por tendencat edhe pse me disa ndryshime, janë thuajse kudo të njëjta.
Top Channel