Lideri i opozitës ruse Alexei Navalny është shtruar në spital, në gjendje të pavetëdijshme nën dyshimin se është helmuar.

Zëdhënësja e tij, Kira Yarmysh shkroi në Twitter se Navalny mbështetës i fortë i fushatës antikorrupsion, u ndje keq gjatë një fluturimi dhe avioni në të cilin ndodhej bëri ulje urgjente në Omsk.

Yarmysh shtoi se dyshojnë që ai është helmuar nga diçka që i është hedhur në filxhanin e çajit. Alexei Navalny është një prej kritikëve më të ashpër të shefit të Kremlinit, Vladimir Putin. Në qershor, ai e përshkroi votimin për ndryshimet kushtetuese që e lejojnë Putinin të shërbejë edhe për dy mandate të tjera si “grusht shteti” dhe “shkelje të dokumentit themeltar te vendit”.

Zëdhënësja u shpreh se kreu i opozitës po kthehej këtë mëngjes në Moskë nga Tomsku dhe se ka helmim toksik.

“Mendojmë se ishte diçka tek çaji, sepse është e vetmja gjë që piu. Mjekët thonë se agjentët toksikë përthithen më shpejt kur hidhen në lëngje të ngrohta. Aktualisht, ai ende nuk është përmendur”, tha Yarmysh, që më vonë njoftoi se Navalny ka përfunduar në repartin e terapisë intensive.

Politikani i njohur u arrestua për 15 ditë në vitin 2011 për pjesëmarrje në protesta, dhe në vitin 2013 u burgos shkurtimisht nën akuzën e zhvatjes, por dënimi që iu dha atëherë u pa gjerësisht si politik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA