Dy muaj pasi u sëmur me Covid-19, Julie pati halucinacionin e parë të saj. “Filloi ngadalë. Po përpiqesha të ndiqja një emision në televizion e më pas nuk mund të lexoja më fjalët në ekranin e telefonit tim. Gjërat u përkeqësuan më tej. E di që ngjan e çuditshme, nuk di as si ta përshkruaj, por dukej sikur diçka po pushtonte trurin dhe trupin tim”, thotë ajo.
36 vjeçarja nga Minnesota, u dërgua në spital nga familja. Kur ata i thanë mjekëve se ajo po shërohej nga kovidi, ata thanë se ishte e mundshme që ky të ishte një efekt anësor por nuk kishin ndonjë trajtim për të sugjeruar. Dhe Julie nuk është e vetme. Efekte të ndryshme dhe afatgjata të kovidit mbi shëndetin fizik po shfaqen e po ashtu edhe pasoja në shëndetin mendor.
Shërbimi kombëtar i shëndetit në Britani ka bërë të ditur se stafi po trajnohet të trajtojë njerëzit me çrregullime stresi post-traumatik për të qenë të gatshëm për një rritje të mundshme të kërkesës për shërbimet e shëndetit mendor si rezultat i krizës së koronavirusit. Kërkimet në Itali, dolën në përfundimin se më shumë se gjysma e të shtruarve në spital me Covid-19 kishin çrregullime psiqiatrike një muaj më vonë, me 28 për qind që tregonin shenjat e çrregullimeve të stresit post traumatik, 31 për qind depresion dhe 42 për qind ankth.
Pagjumësia dhe simptomat obsesive-kompulsive ishin po ashtu të zakonshme. Një studim i kërkuesve në Londër po ashtu nënvizon problemet psikiatrike dhe neurologjike pas infektimeve me Covid-19.
Top Channel