Gjykata e Pogradecit shpalli moskompetencën territoriale në lidhje me kërkesën e prokurorisë për të caktuar masë sigurie ndaj Meardi Berberit dhe dy të arrestuarve të tjerë në Tiranë, Ervin Kalaja dhe Anterio Kaloshi, sa i takon ngjarjes së hotelit në Tushemisht, ku një breshëri plumbash u gjuajtën në drejtim të disa makinave luksoze.
Prokuroria kërkoi masë sigurie “arrest me burg” për tre të ndaluarit, të cilëve iu sekuestrua një arsenal armësh në një garazh në Tiranë.
Ende Prokuroria e Pogradecit nuk i ka paraqitur gjykatës kërkesë për masë sigurie për Meardi Berberin, i cilësuar nga policia, si njëri prej organizatorëve të sulmit mbi hotel “Volorekën”. Mbrojtja i kërkoi Gjykatës së Pogradecit të shpallte moskompetencën për të caktuar masë sigurie, pasi të tre të dyshuarit u ndaluan në Tiranë dhe jo në Pogradec.
Gjykata pranoi kërkesën e mbrojtjes duke shpallur moskompetencën territoriale për gjykim dhe caktoi ndaj tre të ndaluarve masën e sigurisë “arrest me burg”.
Gjykata e Pogradecit ia delegoi aktet Gjykatës së Tiranës, e cila është kompetente për të gjykuar akuzat e armëmbajtjes pa leje dhe mbajtjes pa leje të armëve të ftohta për tre të arrestuarit disa ditë më parë nga Policia e Tiranës.
Top Channel