Radhët kilometrike dhe situata e rënduar në Kakavijë prodhuan reagime te forta të politikës.
Kryeminsitri Edi Rama dhe Partia Demokratike u ndanë tek përgjegjësit dhe zgjidhjet që duhen ndërmarrë. Kryeministri i sheh zhvillimet e pazakonta në kufi si rezultat i masave shtrënguese anticovid të ndërmarra nga disa shtete, ndërsa bën me dije se është në kontakt te vazhdueshëm me homologun e tij grek.
“Fakti është se nuk bëhet fjalë për asnjë lloj padrejtësie apo diskriminimi ndaj shqiptarëve, siç thonë “patriotët” që luftojnë për dinjitetin e atdheut nga ajfoni i tyre. Këtu është fjala për një regjim të ri kontrollesh kufitare, me tamponimin e detyrueshëm të kujtdo që kalon kufirin e Greqisë, qoftë shqiptar, qoftë suedez apo britanik, shtetas këta që si gjithë të tjerët i nënshtrohen testimit në çdo aeroport të vendit fqinj”.
“Kjo ngjarje e rëndë është një tjetër alarm tragjik për braktisjen e qytetarëve nga qeveria. Është e pafalshme që qeveria lejoi krijimin e radhëve të gjata, dhe nuk informoi qytetarët në kohë.Është në përgjegjësinë e qeverisë që Shqipëria u shndërrua në zonë të kuqe COVID, pasojë e të cilës është edhe kjo krizë humanitare në kufi”.
Kryeministri përpiqet te qetësojë shqiptarët e revultuar të mbetur në kufirin mes dy vendeve kur iu kujton se ky është një rregull i cili prek edhe vetë shtetasit grek, te cilët kërkojnë të kthehen ne shtëpi. Për ata të cilat e kritikojnë për braktisje të popullit, Rama i rendit masat e ndërmarra.
“Ne kemi qenë qysh në fillim të shqetësuar, të angazhuar e të përfshirë plotësisht në këtë hall, duke u përpjekur të lehtësojmë sa mundemi me Emergjencat Civile, me Urgjencën Kombëtare e me strukturat vendore, qytetarët që po zhuriten në diellin e nxehtë përgjatë atij karvani biblik. Vazhdojmë të komunikojmë me palën greke për të mundësuar një lehtësim më të madh, e do të vazhdojmë të asistojmë me të gjitha forcat njerëzit në atë hall të madh. Asnjë shtet e asnjë qeveri nuk janë të pakritikueshëm, aq më shumë në këtë kohë dreqi, por jo, asnjë lidhje nuk ka situata në Kakavi me ndonjë gjë të lënë mangut nga shteti e nga qeveria jonë në raport me shtetin e me qeverinë greke”.
“Kjo krizë nuk zgjidhet me propagandë në rrjetet sociale. Nuk zgjidhet me postime virtuale nga rezidencat luksoze qeveritare ku pushon kryeministri, dhe as me xhiro me helikopter dhe rikthim në hotele me 5 yje ku pushojnë anëtarët e kabinetit të tij qeveritar. Zgjidhja e krizës humanitare kërkon angazhimin në nivelet më të larta të qeverisë dhe komunikim të vazhdueshëm me qytetarët shqiptarë”.
Kryeministri është kundër vendimit të shtetit fqinj për kryerjen e tamponit detyrueshëm, por shton se një vendim i tillë nuk është në dorën e tij.
Top Channel