Si një manifestim i parë i angazhimit të Presidentit Francez Emmanuel Macron për të forcuar praninë e vendit të tij në Mesdheun lindor konsiderohen lojërat ushtarake të orëve të fundit të trupave franceze në bashkepunim me ato greke, pikërisht në zonën detare të cilën e ka izoluar me Navtex Ankaraja ,duke i dërguar asaj mesazhin të ndalojë kërkimet për hidrokarbure dhe të fillojë dialogun.

Madje mediat greke dhe ato franceze transmetuan pamje nga kjo stërvitje me 4 fregata  greke, një franzeze ,një helikoptermbajtëse të flotës së Francës si dhe dy avionë luftarakë të saj.

Ndërkohë anija turke sizmografike Oruc Reis e cila dje ndryshoi destinacionin, ka hyrë përsëri mesditën e së enjtes e shoqëruar nga luftanijet turke në zonën detare të cilën Greqia e konsideron të veten.

Presidenti turk ka deklaruar përsëri se anija do të vazhdojë kërkimet dhe se është qesharake që Athina kërkon qe ishulli grek Kastelorizo, prej vetëm 10 km 2 ,i ndodhur 580 km larg Greqisë kontinentale dhe 2 km nga brigjet turke, të jete përcaktues i ZEE.

Rexhep Tajip Erdogan, Presidenti turk: Nuk është Turqia ajo që po rrit tensionin në Mesdhe, por është mentaliteti i grekeve dhe i grekoqipriotëve qe po përpiqen të injorojnë Turqinë dhe Republikën Turke të Qipros Veriore. Unë po e ftoj Greqinë edhe një herë që të respektojë të drejtat dhe ligjet e Turqisë.

Erdogan ka zhvilluar një bisede telefonike pasditen e së enjtes edhe me kancelaren Merkel duke i shpjeguar asaj se Ankaraja mbështet një zgjidhje të problemeve në Mesdheun Lindor me baze të Drejtën Ndërkombëtare dhe dialogun. Edhe kryeministri Mitsotakis ka pasur një bisedë telefonike me kancelaren gjermane të cilën e ka informuar për provokimet turke,ndërsa me herët në një mesazh televiziv ka theksuar se Athina nuk do te pranojë shantazhe në të drejtat e saj sovrane.

Kyriakos Mitsotkis : Ne kërkojmë ura paqeje, mirëbesimi dhe bashkëpunimi me të gjithë. Atdheu ynë nuk kërcënohet apo shantazhohet. Dhe kjo është pikërisht arsyeja pse nuk u nënshtrohet kërcënimeve dhe shantazheve. Megjithatë, as nuk toleron veprime provokuese.

Por e përditshmja konservatore Kathimerini ka kritikuar qeverinë greke me publikimin e fakteve se anija turke ka dite që zhvillon kërkime në Mesdheun Lindor ,duke e zënë në befasi qeverinë Mitsotakis dhe duke i kthyer në këtë mënyrë zonat detare pranë Kretes, Kastelorizos dhe Strogjilit në ujëra detare të diskutueshme .

Në aspektin diplomatik ,pas vizitës ne Izrael dhe mbështetjes që ka marrë prej qeverisë Netaniahu në lidhje me konfliktin me Turqinë ministri i Jashtëm grek Dhendias ,me interes pritet takimi i tij i së premtes në Vjenë me kreun e diplomacisë amerikane Mike Pompeo.

Aleksander Marku

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA