Presidenti Trump uron mbështetësen e QAnon për fitoren në zgjedhjet paraprake

13/08/2020 03:10

Presidenti amerikan Donald Trump ka uruar një mbështetëse të një grupi të ekstremit të djathtë për fitoren e saj në zgjedhjet paraprake për anëtare të Dhomës së Përfaqësuesve në shtetin jugor të Xhorxhias. Presidenti Trump në një postim në Twitter të mërkurën tha se Marjorie Taylor Greene ishte një “Fituese e vërtetë!” pasi ajo mori numrin më të madh të votave në zgjedhjet paraprake të republikanëve në distriktin e 14-të të Xhorxhias.

Zonja Greene është një mbështetëse e grupit QAnon, i cili promovon një teori të pabazuar të një sistemi politik të fshehtë që njihet si “deep state” dhe që synon të minojë presidencën e zotit Trump. Marjorie Taylor Greene, gjithashtu një aktiviste për të drejtën e armëmbajtes, mposhti zotin John Cowan, i cili në këtë garë kishte mbështetjen e disa republikanëve të profilit të lartë, duke marrë 57 për qind të votave. Cowan mori 43 për qind të votave.

Zonja Greene është pothuajse e sigurt se do të fitojë një vend në Kongresin amerikan në zgjedhjet e nëntorit në distriktin kryesisht republikan, ndërsa përballet me demokratin Kevin Van Ausdal. Ligjvënësi Adam Kinzinger, një republikan nga Ilinoi, bëri një postim në Twitter pas fitores së zonjës Green në të cilin thoshte se “QAnon është një trillim” dhe se “nuk ka vend në Kongres për këto teori konspirative”. Ligjvënësja amerikane Ilhan Omar fitoi zgjedhjet paraprake të demokratëve në distriktin e saj të martën, duke mposhtur një sfidues të financuar mirë.

Votuesit në distriktin e pestë të kongresit në Minesota e mbështetën zonjën Omar me rreth 58 për qind të votave kundrejt 39 për qind të votave që mori rivali i saj Antone Melton-Meaux. Ligjvënësja Omar përfaqëson një distrikt të fortë liberal dhe ka gjasa të fitojë një mandat tjetër në Kongres në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit. Në një garë tjetër në Minesota, republikania Michelle Fischbach fitoi zgjedhjet paraprake të partisë së saj dhe do të përballet me ligjvënësit aktual demokrat Collin Peterson në një garë që republikanët e shohin si një mundësi për fitore. Votuesit në këtë disktrikte mbështetën Presidentin Donald Trump me një avantazh prej 30 pikësh kundrejt rivales së tij, demokrates Hillary Clinton në zgjedhjet e vitit 2016, por Peterson është një nga demokratët më konservator në Kongres dhe u zgjodh për herë të parë për të përfaqësuar distriktin në vitin 1990.

Edhe në shtetin e Uiskonsinit të martën u zhvilluan zgjedhje të rëndësishme paraprake. Në distriktin e tretë të këtij shteti, ligjvënësi aktual demokrat, Ron Kind shënoi një fitore të lehtë. Në garën republikane të distriktit, ish-pjesëtari i forcave speciale të marinës amerikane, Derrick Van Orden mposhti ekspertin e marrëdhënieve me publikun, Jessi Ebben. Udhëheqësi i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy dhe ish Guvernatori i Uiskonsinit, Scott Walker mbështetën zotin Van Orden. Më 3 nëntor do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme në Shtetet e Bashkuara, në të cilat do të garohet për postin e presidentit, 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 35 nga 100 vendet e Senatit. Demokratët aktualisht kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa republikanët kontrollojnë Senatin./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA