Detaje të reja mësohen sa i takon ngjarjes që solli ditën e sotme arrestimin e tre personave, të cilët grabitën një shqiptar nga Maqedonia e Veriut, me banim në Zvicër (pasaportë zviceriane).

Personat në fjalë vodhën nën kërcënimin e armës, automjetin luksoz “Audi Q5” të B.F., 33 vjeç dhe 6000 franga.

B.F. e kishte lënë makinën ndezur te Shkëmbi i Kavajës, para një marketi dhe u fut brenda këtij të fundit. Bëhet e ditur se brenda në makinë ndodhej gruaja e tij.

Dy prej personave të arrestuar shkuan dhe e zbritën gruan nga mjeti pa dhunë, pasi ajo u tremb kur pa armën të drejtuar para saj. Grabitësit janë me precedentë të theksuar kriminalë në fushën e krimeve ndaj personit dhe në fushën e vjedhjes së pronës.

Bëhet fjalë për K. R., 33 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhja” dhe “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” mbetur në tentativë, pasi në vitin 2013, në qytetin e Vlorës, ka tentuar të vrasë me mjet prerës (thikë), shtetasin S. P. dhe ka plagosur me thikë shtetasin Sh. D.

Po kështu H. S., 40 vjeç, banues në Durrës, i dënuar në Itali për veprën penale “Vrasja” dhe në Shqipëri për veprat penale “Vjedhja” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Pas grabitjes, ata janë larguar me shpejtësi në drejtim të Kavajës ku kanë kërkuar ndihmën e shtetasit G. D., 42 vjeç, banues në Durrës për t’i ndihmuar që të fshihnin makinën pasi po i ndiqte Policia.

Dy shtetasit, për t’i shpëtuar Policisë, kanë braktisur mjetin dhe janë larguar, por janë kapur bashkë me shtetasin G. D., pas ndjekjes dhe punës profesionale të kryer nga shërbimet e Policisë.

Gjatë operacionit shërbimet e Policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale automjetin e shtetasit B. F., si dhe po punohet për gjetjen e shumës së frangave të vjedhura nga dy shtetasit e arrestuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA