Greqia raporton sot përsëri një numër të konsiderueshëm të rasteve me të prekur nga koronavirusi.

Sipas Organizmit Kombëtar të Shëndetit EODY sot janë regjistruar 204 persona me Covid 19 duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve në 6381. Prej tyre vetëm 12 janë zbuluar në pikat e hyrjes së turisteve të huaj në Greqi.

Gjithashtu sot edhe 5 persona kanë humbur jetën nga virusi në fjalë, prej të cilëve dy të moshuar në azilin e pleqve në Asvestohori të Selanikut.

Gjithsej numri i viktimave shkoi në 221, ndërsa numri i personave në terapi intensive është 22.

Qeveria greke ka rritur numrin e spitaleve në të cilat mund të shtrohen pacientet me covid 19.

Specialistët po hedhin në tryezë si masa të domosdoshme mbajtjen e maskës në mënyrë të detyrueshme kudo, edhe në ambientet e mbyllura, edhe në rrugë. Gjithashtu diskutohet shtyrja për dy javë e vitit të ri shkollor që do të fillonte në 7 shtator.

Ndërkohë vështirësitë më të mëdha duken në aspektin ekonomik pasi nuk pati pritshmërinë e duhur sektori i turizmit. Ndërsa vjet të ardhurat nga ky sektor ishin mbi 18 mld euro, sivjet thuhet se nuk do të shkojnë as 3 mld, shumë larg synimit për të paktën 5 mld euro që kishte vendosur qeveria Mitsotakis.

Gjithashtu vihet re se ka një boshllëk prej 9,36 mld euro tek të ardhurat e shtatëmujorit të këtij viti.

Në baze të këtyre të dhënave duket se recensioni i ekonomisë greke që parashikohej diku tek 8% duket se do të kalojë shifrën prej 10% dhe me rritjen e numrit të rasteve me koronavirus ,vjeshta duket se do të jetë tepër tmerruese për grekët si ne aspektin shëndetësor ashtu edhe në atë financiar.

Aleksandër Marku

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA