Trump riemëron aleatin e Musk për të drejtuar NASA-n, dikur financoi demokratët
Grupi terrorist ISIS mund të ringjallet dhe është një problem për mbarë botën. Kjo ringjallje mund të bëhet nëse komuniteti ndërkombëtar nuk vepron me shpejtësi për të kthyer në vendet e tyre dhe për të ri-integruar ish-anëtarët e këtij grupi terrorist që aktualisht mbahen në kampe në Siri.
Këto paraljmërime të forta i bëri Gjenerali Kenneth “Frank” McKenzie, komandant i Komandës Qendrore Amerikane (CENTCOM). Gjatë një diskutimi të organizuar të mërkurën nga Instituti Amerikan për Paqen, McKenzie tha se: ne po i krijojmë vetes një problem strategjik që do të rishfaqet pas 10-15 vjetësh. Do të preferoja që ta shmangim këtë problem.
Koalicioni ndërkombëtar kundër Shtetit Islamik, i udhëhequr nga SHBA, deklaroi vjet fitoren mbi ISIS-in, por vazhdon të ekzistojë “një ekosistem problemesh të ndërlidhura” gjë që kërkon bashkëpunim ndërkombëtar, tha zoti McKenzie. Aleatët ndërkombëtarë janë përpjekur të arrijnë një konsensus global lidhur me fatin e ish-luftëtarëve të ISIS-it, të kapur rob, si dhe të familjeve të tyre. Shumë vende nuk pranojnë kthimin e shtetasve të tyre nga zonat e konfliktit në Irak dhe Siri. Problemi është thelluar nga pamundësia për të udhëtuar në kushtet e koronavirusit.
Zyrtarët thonë se kushtet tepër të rënda në kampin al-Hol në Siri, ku mbahen shumë nga ish-luftëtarët e kapur të ISIS-it, si dhe dhjetëra mijëra civilë të zhvendosur, ka thelluar radikalizimin. Në këtë objekt janë identifikuar edhe infeksione me koronavirus, gjë që ka shtuar frikën për përhapjen e sëmundjes. “Nëse vazhdojmë të qëndrojmë në këtë objekt, do të ndeshim probleme të mëdha në të ardhmen e afërt kur do të regjistrojmë shumë vdekje, si dhe në të ardhmen afat-gjatë pasi ende nuk kemi një plan për de-radikalizimin e këtyre individëve,” tha zoti McKenzie.
“Nuk kam zgjidhje përveç kthimit të tyre në vendet përkatëse. Por ky problem ose duhet trajtuar tani, ose do të bëhet edhe më i rëndë pas disa vitesh,” tha komandanti i CENTCOM-it. Shqetësimet për ringjalljen e ISIS-it shfaqen ndërkohë që SHBA synon të tërheqë forcat nga Iraku dhe Siria.
Top Channel