Pak më shumë se dy muaj më parë të gjitha mediat përcollën një lajm që kishte si burim Prokurorinë Speciale SPAK.
Sipas lajmit, i bërë publik edhe në faqen zyrtare të SPAK kishte nisur një procedim penal me numër 91 kundër 20 shtetasve me funksion ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë të gjykatave të Shkallës së Parë, të Apelit dhe Kushtetueses.
Hetimi filloi pas kallëzimit të avokatit Fran Dashi, që kishte renditur në emër të tyre plot 6 akuza sipas neneve përkatëse të Kodit Penal dhe Procedurës Penale.
Si objekt kallëzimi shërbyen deklarimet e kryera nga këta subjekte para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe vendimet e shkarkimit të tyre nga KPK-ja apo edhe KPA në disa raste.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vlerësuar materialet e kallëzimit në raport me përcaktimet e neneve 75/a dhe 78 të Kodit të Procedurës Penale dhe ka arritur në konkluzionin se jo të gjithë subjektet e kallëzuar janë në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme.
Nisur nga kjo është ndarë materiali kallëzues në ngarkim të 10 subjekteve, duke ia dërguar për kompetencë dhe vlerësim prokurorive kompetente në lëndë dhe territor, e pikërisht Prokurorive Durrës,Tiranë dhe Elbasan.
Ndërkohë për 10 subjekte, me funksion ish-gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, në Prokurorinë e Posaçme është regjistruar proçedimi penal Nr.137/2020, për veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal.
Deri më tani asnjë nga këto prokurori nuk ka bërë asnjë deklarim, ndonëse interesi publik është i lartë, me qëllim që të rikthehet besimi i publikut te drejtësia.
Top Channel