Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të martën se e ka kuptuar kritikën e ambasadës amerikane për blerjen e armëve kineze dhe të njëjtën e interpreton si një “komunikatë politike”. “Sa herë që vendosim të blejmë diçka (nga armët), dikush gjithmonë ka diçka kundër nesh, dhe kjo është logjike”, tha Vuçiq gjatë një vizite në sheshin Sava në Beograd.
Ky është komenti i parë i Vuçiqit lidhur me deklaratën e ambasadës amerikane në Beograd dhënë për Radion Evropa e Lirë më 10 gusht, ku thuhet se qeveritë duhet të kuptojnë rreziqet dhe kostot afatshkurtra dhe afatgjata nga të bërit biznes me kompanitë kinez. Presidenti Vuçiq tha se Serbia ende nuk e ka blerë sistemin raketor kinez për mbrojtje të tipi FK-3, por që ka “menduar për të”.
“Ne gjithmonë do të marrim vendime vetë. Përndryshe, FK-3 nuk është në listën e sanksioneve amerikane,” tha Vuçiq. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Serbi tha më 10 gusht ka thënë se blerja e pajisjeve ushtarake dhe mbrojtëse është një vendim sovran.
Blerja e sistemeve raketore për mbrojtje, FK-3, është përfshirë në raportin vjetor të kompanisë shtetërore për armët, Jugoimport SDPR, që i është dërguar Agjencisë për Regjistra të Biznesit. Vuçiq gjithashtu nënvizoi se Serbia është një “vend i lirë, sovran”, duke shtuar se nuk do të rrezikonte interesat e vendit.
Vuçiq: Jam i lumtur për shkak të vaksinës ruse
Presidenti i Serbisë, Vuçiq gjithashtu tha se është gëzuar lajmit që Rusia ka prodhuar vaksinën kundër COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi. “Unë jam i lumtur nëse rusët e prodhuan, por ekspertët tanë duhet ta kontrollojnë atë,” tha Vuçiq, duke theksuar se vaksina është “një shpëtim për ekonominë tonë”. Ai gjithashtu tha se i pari do të pranojë vaksinën, për të cilën ekspertët në Serbi thonë se është e mirë dhe ndihmon në parandalimin e COVID-19.
Presidenti i Rusisë Vladimir Putin, tha se një vaksinë për luftimin e koronavirusit e zhvilluar në Rusi është e gatshme për përdorim dhe se njëra nga vajzat e tij është vaksinuar. Putini ka bërë këtë njoftim në një takim të qeverisë më 11 gusht, duke theksuar se vaksina është treguar efikase gjatë testimit dhe mund të krijojë imunitet të qëndrueshëm nga koronavirusi.
Më shume se 100 vaksina të mundshme janë duke u zhvilluar në botë dhe të paktën 4 nga to janë në fazën finale të testimit në njerëz. Faza 3 e testimit përfshin miliona njerëz dhe procesi zgjatë për disa muaj, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).”Testmi në afat më të shkurtër (i vaksinave potenciale kundër COVID-19) ka ngritur shqetësimin në nivel botërore, pasi po anashkalohet e ashtuquajtura faza e 3-të ku bëhen provat e sigurisë, e cila fazë zakonisht zgjatë disa muaj”, ka paralajmëruar OBSH./REL
Top Channel