Edhe tre ditë kanë mbetur nga afati i vënë nga qeveria italiane për të huajt që duan të pajisen me një lejeqëndrim.
Si afat për këtë është vendosur data 15 gusht. Në Itali përllogaritet të jetojnë pa pasur të drejtën e qëndrimit rreth 670 mijë të huaj. Janë persona që u ka skaduar leja e qëndrimit e nuk kanë mundur ta përtërijnë, që kanë ardhur për turizëm apo studime e nuk janë kthyer më në vendlindje, apo ata që kanë hyrë në mënyrë të paligjshme.
Nga 1 qershori deri më 15 gusht, pasi afati fillestar ishte deri më 15 korrik dhe u shty me vendim të qeverisë italiane, për shumë prej të huajve që kanë një vend pune, hapet një dritare për t’u pajisur me lejeqëndrim.
Kjo është periudha gjatë të cilës mund të nisen kërkesat e legalizimit të marrëdhënieve të punës dhe të qëndrimit në Itali, legalizim i parashikuar nga neni 103 i dekretligjit nr. 34 të 19 majit 2020 i njohur ndryshe si dekreti Rinisja.
Për të paraqitur kërkesën, punëdhënësit duhet të regjistrohen përmes kodit identifikues SPID, Sistem Publik i Identitetit Digjital
Kërkesa mund të paraqitet nga punëdhënësi që do të lidhë një marrëdhënie pune të re me shtetas të huaj të pranishëm në territorin italian, ose që do të deklarojë ekzistencën e një marrëdhënieje pune të parregullt me shtetas italianë, evropianë ose të huaj të pranishëm në territorin italian. Punëdhënësit mund të jenë: italianë, shtetas të BE-së, jokomunitarë me lejeqëndrim BE për qëndrues afatgjatë, jokomunitarë me kartë qëndrimi si familjarë të një shtetasi të BE-së, jokomunitarë me kartë qëndrimi të përhershme si familjarë të një shtetasi të BE-së.
Kur është fjala për legalizim të marrëdhënies së punës me të huaj apo të lidhjes së një kontrate të re me një të huaj, mund të paraqitet kërkesë legalizimi vetëm për punonjësit të pranishëm në Itali që para 8 marsit 2020 e që nuk janë larguar asnjëherë nga Italia prej asaj date.
Top Channel