E mbijetuara tregon momentet rrëqethëse të shpërthimit në Bejrut: Toka nisi të dridhej, gjithçka…

12/08/2020 19:28

Kur kanë kaluar më shumë se një javë nga shpërthimi tronditës në Bejrut, të mbijetuarit kanë mbledhur veten për të treguar dëshmi tronditëse. Rima Majed, është një nga të mbijetuarat e katastrofës dhe në një intervistë të gjatë për CNN, ajo ka treguar të gjithë momentin dramatik.

“Po takohesha me miqtë e mi për të pirë diçka në bar, këtu në Hamra, jo shumë larg shtëpisë. Papritur toka nisi të dridhej poshtë këmbëve tona. Dikush bërtiti me të madhe, ‘tërmet!’. Mirëpo një shoku im i cili e përjetoi periudhën 15-vjeçare të luftës civile në vend, tha me bindje se ishte një shpërthim. Ishim ende duke biseduar, kur pasoi një shpërthim i dytë, akoma dhe më i fortë se i pari. Nuk mbaj mend shumë, më kujtohet turbullt momenti kur drejt meje vërshuan mijëra copëza xhami të thyer”, u shpreh Majed.

Gruaja e ka vijuar më tej narracionin duke treguar momentin e pas shpërthimit, e gjithë që ajo përfytyron në këto çaste, është një situatë e ngjashme me atë të luftës, gra e fëmijë që bërtisnin, njerëz të gjakosur dhe shtëpi të rrafshuara.

“Një pluhur i madh pushtoi të tërë ambientin. Aty e kuptuam që ishte një shpërthim, kudo kishte rrënoja, zhurmë shurdhuese, njerëz të përgjakur që kërkonin ndihmë. Një mikesha jonë, që ishte ulur në bar me ne, pësoi lëndime të shumta, asaj i ra përsipër një xham i madh dhe i shkaktoi plagë në kokë e këmbë. Hemoragjia nuk po i ndalte, i duhej mjekim i menjëhershëm, por ne nuk ishim në gjendje në atë moment për të bërë asgjë, por mblodhëm forcat, shkuam porositëm një taksi dhe nxituam për në spital”, tregon e tronditur Majed.

Sakaq, shpërthimi vdekjeprurës la së paku 163 persona të vdekur dhe mbi 6.000 të tjerë të lënduar, ndërsa 300 mijë persona humbën gjithçka kishin. Shkak i shpërthimit, mendohet se u bë një sasi e tepërt nitrati e cila ishte e vendosur në një depo pranë një porti detar në Bejrut.

FOTO GALERI
1/14

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA