Më 8 gusht, një breshëri plumbash goditi disa mjete të parkuara në hotelin “Voloreka” në Tushemisht duke shkaktuar dëme materiale.
Në videon e mëposhtme, të siguruar nga Top Channel shihet një prej atentatorëve, me kallashnikov në duar dhe i maskuar.
Teksa ecën i armatosur, personi në fjalë hap zjarr ndaj automjeteve, ku 6 makina luksoze përfunduan të dëmtuara. Kujtojmë se ky nuk ishte atentati i parë, pasi më 1 gusht u qëlluan 3 plumba në drejtim të hotelit, por kjo ngjarje nuk u raportua më herët.
Shkak i sulmit u bë një grindje e ndodhur një vit më parë mes djalit të pronarit dhe 37-vjeçarit Mariglen Topuzi, ndërsa disa karikatorë kallashnikovi u zbrazën në drejtim të parkingut të automjeteve dhe ndërtesës.
Pas ngjarjes së rëndë policia u vu në lëvizje dhe arriti të hedhë dritë mbi ngjarjen duke siguruar si prova 1 mjet motor tip “Suzuki”, pa targë, 2 skafandra të përdorura nga autorët, ku janë fiksuar prova biologjike dhe balistike të tyre, fishekë luftarakë, si edhe pamje filmike të filmuara nga kamerat e sigurisë.
Ditën e sotme, policia njoftoi se përmes në operacioni, në bashkëpunim me RENEA-n u bë i mundur arrestimi i organizatorit, Ilir Berberi dhe 3 bashkëpunëtorëve: Ilir Meçolli, Ardian Xhuti dhe Elvir Haxhia. Ndërkohë Meardi Berberi dhe Brian Syzo janë të shpallur në kërkim.
Ndërsa pas ngjarjes së rëndë pushuesit nxituan të largohen të tmerruar nga ajo çfarë përjetuan.
Top Channel